“Teatri Kombëtar të rindërtohet siç ishte”, KLSH çon në prokurori IMK-në pas auditit: Nuk mund të shërbejë si fasadë për…

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka depozituar në Prokurorinë e Tiranës vendimin për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar si indicje penale, për shkak të cenimit të zonës së mbrojtur. Ky institucion ka kryer një auditim në Institutin e Monumenteve të Kulturës (IMK) Tiranë, për veprimtarinë nga data 01.01.2018 deri më datën 31.12.2019.

Pas këtij auditimi, KLSH kërkon nga institucioni në fjalë t’i kërkojë Këshillit të Ministrave dhe Bashkisë Tiranë, rindërtimin e godinës së Teatrit Kombëtar në zonën ku ka qenë godina e mëparshme, “në të njëjtin stil dhe pamje arkitektonike që ajo ka pasur, me të njëjtat volume dhe në të njëjtin projekt”.


Sipas KLSH-së, IMK, në rolin e Sekretariatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Restaurimeve si dhe Këshilli Shkencor, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës pasi të kryejnë analiza të plota të vendimmarrjes në të cilin kanë kaluar dy VKM-t e fundit të vitit 2017 dhe 2018 për ndryshimin e kufijve të zonës historike Tiranë, të propozojë revokimin e VKM-ve të sipërcituara për ndryshimin e vendimit për nxjerrjen jashtë kufijve të zonës historike të sipërfaqes ku ndodhej ndërtesa e Teatrit Kombëtar.

Në njoftim, thuhet se vendimmarrja e këtyre strukturave nuk mund të shërbejnë si fasadë kur prekin trashëgiminë kulturore dhe memorien historike të shqiptarëve, duke justifikuar në këtë mënyrë veprimet e njëanshme të institucioneve (strukturave) që mund të cenojnë në mënyrë të pariparueshme qendrat historike të vendit tonë, në këtë rast Bashkia e Tiranës apo dhe Këshilli i Ministrave.

Për sa më sipër, KLSH i ka rekomanduar Ministrit të Kulturës, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit Kombëtar të Restaurimeve dhe Këshillit Shkencor të IMK-së, marrjen e masave për përmirësimin e legjislacionit në fuqi, si dhe një sërë masash me karakter organizativ, ndërsa përsa i përket shkeljeve të konstatuara në lidhje me ndryshimin apo përcaktimin e kufijve të qendrës historike të qytetit të Tiranës, të cilat janë pasuar me ngjarjen e fundit të prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar, KLSH ka paraqitur indicje penale pranë Zyrës së Prokurorisë Tiranë.

 ABCOM ║ VODAFONE