
Sot nis konferenca shkencore “At Gjergj Fishta, kërkime dhe interpretime” në kuadër të 150 vjetorit të lindjes së poetit e prozatorit të madh të kombit shqiptar. Kësaj konference, i ka paraprirë një tavolinë e rrumbullakët organizuar nga Departamenti i Letërsisë i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, konceptuar nga Valbona Karakaçi, pedagoge.
Në faqen e saj zyrtare në Facebook, në vigjilje të konferencës shkencore “At Gjergj Fishta, kërkime dhe interpretime”, Karakaçi ka publikuar atë që mund të konsiderohet produkt i tavolinës së rrumbullakët, duke prezantuar edhe rekomandimet përkatëse:
PUBLIKIMI NË FACEBOOK I VALBONA KARAKAÇI
Mësues e pedagogë, studentë e gjimnazistë, pas një serie maratone vlerësimesh e diskutimesh, vinë në Konferencën Shkencore për 150 vjetorin e Fishtës me këto rekomandime:
1. Të rikthehet Fishta në maturën shtetërore
2. Të trajtohet satira e Fishtës për potencialin që përfaqëson në rikontekstualizimin e Fishtës
3. Muzeu i Fishtës të plotësohet me arte-fakte dhe të përfshihet në kurrikulën mësimore: Departament i Letërsisë së Universitetit të Shkodrës është i gatshëm ta mbështesë një projekt të tillë
4. Të krijohet bibloteka dixhitale e Fishtës dhe të bëhet pjesë e biblotekave mësimore: Departamenti i Letërsisë së Universitetit të Shkodrës është i gatshëm ta mbështesë këtë projekt
5. Të përfshihen metoda më bashkëkohore në trajtimin e autorit: shfrytëzimi i fjalorëve që zbëthejnë gjuhën e Fishtës është një domosdoshmëri
6. Kurrikula bërthamë dhe mësimdhënësi kanë misionin për të kultivuar atdhedashurinë si antidot ndaj rrjedhjes së trurit të të rinjve: vepra e Fishtës është misionare në këtë drejtim
7. Kurrikula universitare dhe ajo e arsimit të lartë të mesëm duhet të integrohen më mirë për të zhvilluar të mësuarit me bazë kompetencat
Suksese konferencës! Faleminderit ZVAP Shkodër dhe Universitetit të Vlorës për bashkëpunimin, specifikisht lektore Etjona Hoxha dhe Dea Temali për lehtësimin! /Publikuar në Facebook nga Valbona KARAKAÇI, pedagoge/




