Kryetarja e Bashkise Shkodër Voltana Ademi, ka reaguar sërish lidhur me rritjen e tarifës së depozitimit të mbetjeve në Landfillin e Bushatit. Me një postim të gjatë në faqen zyrtare në Facebook, Ademi ngre disa pyetje por tregon edhe rrugën për zgjidhjen e mundshme të situatës së krijuar.
PUBLIKIMI I VOLTANA ADEMIT
Për të gjithë ne, bashkitë, për banorët dhe biznesin, duhet të na bëhet me dije:
Kush janë rregullat e reja, kush është plani i ri i biznesit në menaxhimin e Ndërkomunales Bushat?
Cilat janë ndërhyrjet e parashikuara në përmirësim sikurse flitet?
Sa kushtojnë ato?
Cili është projekti teknik?
Çfarë do të realizohet, cili është plani i monitorimit?
Prona për të cilën flasim, është pronë e investuar dhe pronë e ministrisë përkatëse. Bashkitë depozitojnë dhe për normativën e depozitimit për atë lloj shërbimi që kryhet, ne paguajmë tarifën. Bashkia Shkodër është ndër depozituesit më të mëdhenj në landfill dhe ka një impakt financiar shumë të madh rritja e tarifës.
Ka një zgjidhje për çdo gjë!
Në qoftë se kërkohet një investim i ri për të përmirësuar kushtet, të bëhet me dije dhe të bashkëndahet me të gjithë jo vetëm me kryetarët e bashkive, por me të gjithë edhe me publikun.
Të pyetet qeveria a ka mundësi si pronare e landfillit për të vazhduar investimin e pretenduar. Kujtoj që në vitin 2013-të u dha një fond për fazën e dytë dhe ky fond më pas u hoq. Nëse qeveria nuk e ka mundësinë të vazhdojë investimin, të na bëhet me dije në formë zyrtare.
Po mblidhemi të gjithë ne, kryetarët e Bashkive, Prefekti dhe Ministria të diskutojmë çështjen teknikisht, bazuar në një projekt teknik dhe analizë tekniko – ligjore dhe ekonomike, e diskutojmë me pas edhe me qytetarët dhe ua bëjmë të qartë, nëse ka një arsyetim teknik, kjo për të marrë një vendimmarrje të duhur ashtu siç ligji e parashikon.
Ne qoftë se ne bashkëndajmë me qytetarët informacionin transparent, atëherë bashkë me qytetarët do të vendosim. Kjo është e vetmja mënyrë e lejuar për të punuar në një demokraci vendore, bashkë me qytetarët.
Mungesa e transparencës për cështje kaq sensitive është shumë e rëndë, aq më shumë kur bëhet fjalë për impaktin për një popullsi mbi 300 000 banorë.
Ajo çfarë unë kërkoj, është të mos ndodhë rritja arbitrare, pa asnjë shpjegim, pa një arsyetim ligjor, pa një plan biznesi, pa një plan teknik, pa ditur askush se ku do të shkojnë këto para që kërkohen më tepër.
Si është e mundur që në lidhje me këtë kërkesë të Landfillit Bushat, nuk ka dijeni as Drejtoria e Programeve të Zhvillimit në fushën e Ujësjellës- Kanalizimeve dhe Mbetjeve në Ministrinë e Infrastrukturës, ndërkohë që i mëshoj faktit se ky vendim, është abuziv dhe i pa mbështetur në ligj, kur për këtë çështje, Prefektura e Shkodrës nuk ka dhënë shprehjen e ligjshmërisë për vendimin e Këshillit Bashkiak Vau Dejës. /Publikuar në faqen zyrtare në Facebook nga Voltana ADEMI, kryetare e Bashkisë Shkodër/