Thomas Brdariç do të vazhdojë punën dhe projektin e nisur një vit më parë tek Vllaznia. Burime pranë klubit kuqeblu bëjnë me dije për ShkodraWeb se gjermano- kroati mbërrin në Tiranë me avion nga Gjermania të dielen dhe menjëherë do të niset për në Shkodër. Të njëjtat burime shtojnë se kontrata tashmë është mirëpërcaktuar dhe nuk ka asnjë pengesë për rinovimin. Madje, një zyrtar i klubit shkodran do ta presë në Rinas dhe do ta shoqërojë deri në shkodër teknikun, pas vetë kerkesës së gjermanit.
Mesa duket, edhe gjatë këtyre ditëve që Brdariç ishte në Gjermani, komunikimet e tij me klubin kanë vijuar dhe mesa duket, janë plotësuar kërkesat e trajnerit, sidomos ato teknike që lidhen me pjesën sportive. Sapo të jetë në Shkodër, do të nisë menjëherë grumbullimi i ekipit për përgatitjen për pjesëmarrje në Kupat e Europës.
Do të organizohet një minifazë përgatitore disa ditore, mundësisht në një zonë të freskët për të shmangur temperaturat e larta të këtyre ditëve. Paralelisht, po vazhdojnë bisedimet me 8 lojtarët që kanë kontratat e përfunduara me Vllazninë, me synim gjetjen e marrëveshjeve për rinovim. Por ashtu, po evidentohen edhe afrime të mundshme për të forcuar ekipinin sidomos në repartin e sulmit. Disa nga lojtarët kanë pretendime financiare, madje deri në dyfishim të pagesës krahasuar me një vit më parë.
Siç dihet me 15 qershor hidhet shorti për Conference League ku Vllaznia merr pjesë dhe do të njohë kundërshtarin e turit të parë. Kueqblutë kanë deklaruar si objektiv kalimin e të paktën dy tureve, gjithmonë në varësi të ekipeve që do tu vihen përballë. Veç të tjerave, arritje e këtij objektivi, do të ndikojë në shëndoshjen e situatës financiare tek Vllaznia. /ShkodraWeb/