Ka më shumë se 4 orë që po mendoj të shkruaj apo jo. Lexova disa fjalë prekëse të Edona Staka për njohjen me Ardian Kallamin, 47- vjeçarin që u vetëvar sapo doli nga Komisariati i Policisë në Vau- Dejës. Mendja më shkoi në Jug të vendit, tek Enea Ftoj një i ri, shumë më i ri se Ardiani në moshë. Ai vdiq nga dhuna brenda mjediseve të Komisariatit të Policisë së Korçës. Këto janë akuzat e afërmëve të cilët tregojnë edhe shnja në trup të njeriut të tyre.
Për ironi të fatit, Ardiani ishte rreth 19 vjeç kur diktatura u rrëzua dhe thuajse në atë kohë, erdhi në jetë Enea që deri para pak muajsh identifikohej si një i gjallë 27- vjeçar. Ardiani e njohu diktaturën, tmerret e saj, policinë e egër që sot e cilësojmë edhe politike. Mendohej se Enea do të përballej me një realitet tjetër, me një polici më pranë standarteve europiane. E në fakt, të dy ishin viktima direkt apo indirekt të kësaj policie. Ardiani, sipas familjarëve të tij, jo vetëm u godit fizikisht por edhe u detyrua të firmosë një deklaratë fajësie. Pa ditur shkrim e këndim, thonë të afërmit. Enea edhe me keq, u vra brenda mjediseve të një komisariati policie.
Janë vdekje të paimagjiueshme, të bitisura në mjedise ku jeta duhet të jetë 100% e sigurtë. Sepse jeta jonë mbrohet me ligj dhe ku mund të jemi më të sigurtë se në një komisariat policie, ku e kanë përdetyrë të na garantojnë jetën? E pikërisht aty vdiq Enea dhe nisi të vdesë edhe Ardiani. Të dy lidhen nga fati i keq, nga jeta e vështirë e zhytur në varfëri. Enea ka fëmijët prush përtokë me pengun që e mori me vete për rritjen e tyre. Ardiani ndoqi pas të shoqen që u largua nga kjo jetë para rreth 6 muajve duke lënë pas trishtimin e fëmijëve edhe pse të rritur. Si shpjegohet që deri më sot, nuk vdiq brenda komisariateve apo sapo dolën prej tyre asnjë pasanik apo zengjin si i themi ne, por vetëm të varfër e të këputur?!
Unë për shkak të profesionit, njoh dhe kam miq shumë drejtues e policë të thjeshtë. Por rastet e Eneas, Ardian por edhe shumë të tjerëeve që fatkeqësisht nuk do të jenë të fundit, tregojnë se kemi të bëjmë me kafshë me pamje njeriu që punësohen e paguhen me taksat tona. Pse duhet të jemi më pozitivë me policët se për shembull me një edukatore që dhunon të miturit, me një mesuese që godet një nxënës apo me një zyrtar që merr rryshfet për të kryer një punë? Për shkak të vështirësisë në punë apo rrezikut për jetën? Të mos e bëjnë atë punë, nga i pari tek i fundit! Edhe serbë të ishin të punësuar, nuk do të mund ti bënin më shumë shqiptarëve Enea dhe Ardian. Çfarëdo lloj krimi, sado të rëndë të Eneas apo Ardianit, dhuna nuk justifikohet. As verbale dhe aq më pak fizike. Sespe jeta e individit në këtë republikën tonë mbrohet me ligj!
E tash po flitet prap për vetting e policinë që duam! Të dhjefsha vettingun bashkë me “policinë që duam”. Sepse Enea dhe Ardiani nuk mund të kthehen më në këtë jetë sepse kanë marrë rrugëtimin pa kthim. Edhe të largohen 14 mijë apo më shumë policë përmes vettingut, nuk ka asnjë vlerë. Nuk mund të jetë më “policia që duam” sepse të paktën dy shqiptarë i vranë vetëm se u ranë në dorë!
Në fakt, nuk doja të shkruaja por nuk munda të rrija indiferent! Sidomos përballë kësaj demagogjie të madhe që po na poshton mendje, zemren e trupin dhe që po e pranojmë gjithsesi, edhe kur…na vret! /Nga Blerti DELIJA për ©ShkodraWeb/
P.S. Tani, kush e ka rradhën…?!