Uzinat e Kromit dhe Rafineria e Naftës në Elbasan janë gjetur në befasi sot nga Kryetari i Grupit Socialist Taulant Balla, Kryetari i Bashkisë Qazim Sejdini dhe deputetët Evis Kushi dhe Arben Kamami.
Në fakt deputeti Balla prej kohësh i kishte kërkuar Inspektoriatit të Mjedisit Elbasan marrjen e masave për ndotjen që shkaktojnë këto uzina.
Por duket se durimi i Z. Balla ka arritur kulmin teksa publikisht i ka kërkuar Ministrit të Mjedisit Blendi Klosi të marrë masa ndaj këtyre kompanive që ndosin mjedisin, por edhe ndaj Inspektoriatit të Mjedisit i cili nuk bën detyrën.
“I kërkojmë Ministrit të Mjedisit Blendi Klosi, por edhe Drejtorit të Përgjithshëm të Inspektoriatit të Mjedisit marrjen e masave emergjente. Nuk mund të tolerohet 1 vit afat për të vënë në punë pluhurkapëset.
Duhet të jetë e kundërta, të vendosen pluhur kapëset pastaj të fillojë puna. Në këtë drejtim ne do të jemi armiqtë tuaj kryesorë, nëse nuk respektoni mjedisin, si deputetë të Elbasanit dhe do të jemi mbështetësit tuaj më të mëdhenj, nëse respektoni rregullat.”
Z. Sejdini tha se ajri i qytetarëve nuk mund të ketë afate 1 apo 2 vjeçare, kjo sipas tij, është e patolerueshme:“Unë i drejtohem Ministrit Klosi të vijë vetë të shohë gjendjen ”
Dhe ndotjen që ekziston dhe gjithë këtë ndotje e ka jo vetëm zona rrotull, por po aq të ndotura janë ujërat nëntokësore dhe mbitokësore. Në emër edhe të Këshillit Bashkiak i drejtohem Ministrit të marrë masa për heqjen e licensës të gjithë atyre firmave që nuk plotësojnë kushtet dhe standardet kombëtare e ndërkombëtare.
Deputetja Evis Kushi theksoi se vizioni i Qeverisë Shqiptare dhe Bashkisës së Elbasanit është ai që u provua me fushën e mbetjeve urbane, e cila ka qenë plaga më e madhe e Elbasanit:
“Elbasani ka një të kaluar shumë të trishtuar duke filluar që me ish Kombinatin Metalurgjik dhe më pas me fushën e vjetër që ne e treguam se cili ishte vizioni ynë. Vizioni ynë ishte që kjo fushë e mbetjeve sot është një park i gjelbëruar dhe ndërkohë kemi ndërtuar një impiant të standardeve europiane përsa i takon përpunimit të mbetjeve dhe me këtë standard ne nuk mund të lejojmë asnjë sipërmarrje që të cënojë cilësinë e ajrit në kurriz të shëndetit të qytetarëve.”
Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist theksoi se Elbasani e ka vuajtur ndotjen në të kaluarën për shkak të Metalurgjikut, por sot kur bëhemi gati të hapim negociata me BE, kjo lloj teknologjie nuk mund të ekzistojë më dhe nuk do të tolerohet./balkanweb/