Sytë e tu që më shikjojnë me ambëlsi…

Gjokë Vata! Nuk asht e lehtë me shkrue per te. Sepse gjaja e parë të të vjen në mendje, janë superlativat. Por në fakt, me shkrue për Gjokë Vatën, nuk duhet me u ndal vetëm tek talenti muzikuer e as tek tekstet e librat që ka prodhue e shpresojmë të vazhdojë sa ma gjatë.


Zotni Gjokë Vata asht shembulli vetë, se si jeta asht e bukur në vështirësitë e saj e i’a vlen me e jetue, tuj kapërdi edhe kafshatat aspak të shijshme që të ven në pjatë. Jeta e tij, nuk ka kenë e lehtë as para e as pas 1990- ës. Ky vit “magjik” për shumë shqiptarë e shkodranë, nuk ka shenjue (mendoj unë), ndonjë ndryshesë të theksueme pozitive në jetën e tij. Për aq sa e njoh unë, direkt e indirekt, përmes aktivitetit si gazetar. Përveç asaj që mund të konsiderohet liri, nëse e kemi prekë ala në këtë vend.

Kam pasë kontakte. Edhe kur zotni Gjoka ishte në qendër të vëmendjes para mikrofonave e kamerave por edhe kur fashitej në botën e tij, i rrethuem nga njerëz që e kanë dashtë, e dojnë e do ta dojnë edhe në mungesën e tij fizike. E nuk flas thjesht për bashkëshorten e jashtëzakonshme Bardha, vajzat Venona e Sidola dhe djalin Tonin. Natyrisht, nuk përmend emna por ata që mund të më lexojnë, e kuptojnë.

Vështirë që në këtë botë të ketë një person ma të fortë se se zotni Gjokë Vata. Nuk ka nevojë për prova sepse jeta e tij asht nji provë e gjallë. I’a ka dal gjithmonë të fitojë mbi vështirësitë, individuale, brenda familjes, tek të afërmit e miqtë. Gjithmonë është ringritë e besoj se do ta bajë gjithmonë.

Forca e zotni Gjokës demonstrohet edhe kur e sheh në rrugë. Këto ditë jo shumë shpesh për hir të realitetit. Me hap të rregullt, të sigurte, të shpenguem, pak kush mund ta besojë se rruga ku hedh hapat, asht e pamatë, e pakufi për të.

Mbështet Shkodraweb Media në misionin e vet! FALEMINDERIT!

Zotni Gjoka kaloi 85 vite, me një shëndet të mirë, me mendje të kthjelltë e kujtesë për t’u pas lakmi. Fatmirësisht, gëzon fëmijë e nipër. Krenohet me fëmijë e vet e fëmijët e tyre. Është aktiv, me mendime e opinione që i përcjell edhe në rrjete sociale. Duket qartë se nuk i intereson nëse i pëlqen dikujt/disave. Kuptohet lehtë se mendimi i tij asht i pandikueshëm. Aftësi e zotësi që jo çdokush mund ta ketë. Për shumë arsye, por zotni Gjoka i’a ka dalë.

Zotni Gjokë! Shkodra të ka dhanë “Mirënjohjen” e vet zyrtarisht. Nuk ka dyshim se do të kishe meritu dhe meriton edhe sot, shumë ma shumë. Edhe përtej Shkodrës. Vertetë që kufijtë i theve përmes artit dhe talentit që veç t’u shtue bashkë me vitet që kalojnë me efektin që kanë tek vena, e kuqe apo e bardhë të jetë. Në Shkodër e përtej saj, njihesh e do të kujtohesh si simbol i bashkëudhëtarit me jetën, sfidues e fitues i betejave jo të lehta që t’u vunë përballë! Të paktën për mue je ky!

E tash, urimi ma i mirë për këtë ditëlindje, asht tuj i ndie kangët e interpretueme prej zotni Gjokës. Sepse ai e ka zanë vendin e tij tek secili prej nesh. /Nga Blerti DELIJA/


REKLAMAT NË KËTË FAQE, JANË I VETMI BURIM PËR TË GARANTUAR PAVARËSINË, PAANËSINË DHE PROFESIONALIZMIN E KËSAJ MEDIA. NËSE KENI MIRËSINË NË KËTO REKLAMA, JU NA JEPNI NJË MBËSHTETJE TË ÇMUAR! FALEMINDERIT!

Fibank Albania