“Sytë e saj bojëqielli m’i patën ‘marrë mendtë'”, aktori Ymer Bala zbulon urimin më të bukur për ditëlindjen…

Aktori i njohur shkodran Ymer Bala feston sot ditëlindjen. Edhe pse nuk i tregon aspak me pamjen e tij, Bala feston 75 pranvera, i rrethuar nga njerëzit e tij më të dashur, por larg Shqipërisë e sidomos larg Teatrit “Migjeni” e kolegëve të tij, të cilët nuk harruan ta uronin me një video nga skena e magjishshme e tempullit të kulturës.


Para pak minutave, aktori i njohur ka hedhur disa rreshta, përmes të cilëve edhe me humor, përcjell emocione të shumta. Është një dialog i shkurtër por shumë domethënës me bashkëshorten, shoqen e jetës, e cila me sytë bojëqielli “ia mori mendtë”. Ne e morëm “pa leje” këtë postim të veçantë dhe po e bashkëndajmë me të gjithë, si një shembull i bukur se dashuria vetëm forcohet dhe zbukurohet me kalimin e viteve.

URIM PËR DITËLINDJE

I thashë sime shoqe:

– A ke ndër mend me ma urue ditëlindjen në f.b.?”

Mbështet ShkodraWeb Media

– Po si s’po ta uroj unë ty ditëlindjen mor burrë…ty të paçim e u bafsh 100 vjeç!

– A ke mundësi me më ba nji nder, pra, kësaj here?

– Çfarë nderet?

– Po ja…me qenë se këte vit bahem 75 vjeç, a ke mundësi me shkrue: Gëzuar 57 vjetorin, burrë i dashtun , sepse po më duken shumë 75 vjet…xene se të ka shkue dora keq…!

Ajo qeshi e tha:

– 57-të? Hmmmm…a don me ta ba 27-të? Nuk më kushton gja…sa të duesh, ti veç fol.

– Ja…jaaa 27-të se”minarja në thes nuk hin” por 57-të ose të paktën 67-të. A ke mundësi? M’i ul nja tetë vjet të pakten se nuk po na e kërkon kush pasaportën!

Ime shoqe me pa drejtë në sy…me ato sytë e saj bojëqielli të cilët m’i patën “marrë mendt” 45-së vjet ma parë, e me buzë në gaz, tha:

– Jaaa…mar…dashke me të ba ma të ri se mue, eeee?”

M’u afrue, m’i hodhi krahët e më shtrëngoi fort në parzmin e saj. Qëndruem ashtu për disa sekonda të mira dhe kur u shkëputëm, shikuem njeni- tjetrin ndër sy.

Të dy i kishim sytë e njomun prej lotëve…lotë që veçse na i ndrisnin edhe ma shumë bebëzat e syve tanë. U përqafuem përsëri…këtë radhë paksa ma fort e disi ma gjatë…e m’u duk vetja “gati-gati” 57-të! /ShkodraWeb Media/

© ShkodraWeb Media - Të gjitha materialet në këtë faqe mund të përdoren nga media të tjera, duke përmendur emrin e burimit të informacionit nga janë marrë.

ShkodraWeb Channel