
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka konfirmuar, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, se synon edhe një mandat në krye të shtetit, teksa asaj i skadon mandati si e para e vendit në prill të vitit 2026.
Osmani foli një ditë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, rezultatet preliminare të të cilave e nxorën fituese Lëvizjen Vetëvendosje me mbi 49 për qind të votave.
Nëse partitë politike nuk arrijnë ndonjë kompromis për çështjen e presidentit të ri, atëherë vendi do të përballet me një cikël të ri zgjedhor në fillimvitin e 2026-tës.
Presidentja tha se pret formimin e institucioneve të reja, dhe se do të ketë bisedime me deputetë të pushtetit dhe të opozitës në lidhje me kandidaturën e saj.
Përveç kësaj, Osmani foli edhe lidhur me marrëdhëniet me kryeministrin në detyrë të Kosovës, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Ndërkaq, në lidhje me politikën e jashtme, presidentja komentoi marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën administratën e Donald Trumpit, dhe prapaskenat e takimeve me zyrtarë amerikanë.
Ajo foli edhe lidhur me dialogun Kosovë-Serbi dhe për çështjen e zbatimit të marrëveshjeve të arritura mes dy vendeve.




