Superliga rifillon me 3 qershor, çfarë do të ndodhë me 13 futbollistët që u ka ka mbaruar kontrata me 31 maj…?!

Vllaznia nuk gjen dot qetësi. Nëse nga Këshilli Bashkiak i Shkodrës erdhi një lajm i mirë të premten për t’i hapur rrugën kalimit të rrogave të prapambetura, te kuqeblutë është hapur një tjetër çështje që i shqetëson jo pak futbollistët dhe stafin teknik. Bëhet fjalë për kontratat, të cilat zyrtarisht kanë skaduar dje për 13 lojtarë dhe trajnerin Mirsad Jonuz. “Panorama Sport” zbulon se pavarësisht bisedimeve mes palëve gjatë ditëve të fundit, klubi nuk u ka dhënë zgjidhje konkrete marrëveshjeve që kanë skaduar më 31 maj.

Burime të sigurta i treguan dje gazetës se portierët Alen Sherri dhe Tedi Laço, mbrojtësit Renato Malota, Filip Gligorov, Dajan Shehi dhe Maksim Kojokaru, si dhe mesfushorët Herald Marku, Behar Ramadani, Gilman Lika, Florind Bardulla, Ndriçim Shtubina, Ardit Krymi e Hygor Gonçalves, nga sot mund të quhen futbollistë që s’kanë më detyrime ndaj Vllaznisë.


Në këto kushte, drejtuesit e klubit duhet të ulen me secilin lojtar për të bërë një marrëveshje që do të konsistonte si shtesë kontrate për të paktën dy muaj, pikërisht për periudhën qershor-korrik, kur dhe është parashikuar të luhet pjesa e mbetur e sezonit. Mirëpo, që të ndodhë kjo, atëherë të dyja palët duhet të bien dakord, pasi mund të ketë lojtarë të cilët nuk i pranojnë kushtet e reja dhe në një situatë të tillë, klubi është i pafuqishëm për të ndaluar largimin e mundshëm të tyre.

Vetë kapiteni Lika, të cilit i ka mbaruar gjithashtu marrëveshja, deklaroi pak ditë më parë se do të ishte i gatshëm të pranonte një pagë minimale për këto dy muaj. “Jemi paguar për herë të fundit në muajin janar. Kërkojmë që të na paguhen edhe katër muajt që mbeten, pra shkurt, mars, prill dhe maj, pasi ajo që na dha FSHF nuk është as për të shtyrë një javë. Për muajt qershor dhe korrik, ne mund të pranojmë të qëndrojmë edhe me një pagë minimale, që mund ta vendosë klubi pa problem”, pati thënë Lika.

Tashmë mbetet për t’u parë se cili do të jetë reagimi i administratorit Suad Lici, i cili në mbledhjen e Këshillit Bashkiak sqaroi se kontratat do të mbeten 10-mujore dhe pjesa e ndërprerë prej përhapjes së Koronavirusit do të zëvendësohet me angazhimin në qershor dhe korrik. Një çështje e koklavitur, teksa futbollistët presin tashmë zgjidhje. /Nga Admir URUÇI, PanoramA Sport/

Copyright © ShkodraWeb Media

ShkodraWeb Media

ShkodraWeb Media