
Me ardhjen e fundvitit, kur bota përballet prej një viti me pandeminë COVID, dua të risjell në vëmendje dy tregues që të vetëm provojnë dështimin e thellë të përgjigjes shqiptare ndaj epidemisë:
1. Sot Shqipëria raporton mbi 1,100 vdekje. Në se kjo shifër korrigjohet bazuar në dy tregues tashmë të provuar katërcipërisht, vdekjet e raportuara nga INSTAT dhe ato të denoncuara nga opozita, numri i vdekjeje nga COVID shkon minimalisht në 2,600, pa llogaritur qindra vdekje në shtëpi nga tetori e deri tani. Vetëm shifra e 2,600 vdekjeve mjafton për ta vendosur Shqipërinë midis 15 vendeve më të prekura në botë.
2. Të lënë në mëshirën e fatit (tekave të virusit) nga qeveria e tyre, shqiptarët kanë harxhuar deri tani mbi 100 milionë euro për testim, analiza e ekzaminime në privat, trajtim në shtëpi, blerje pajisjesh dhe medikamentesh që mungojnë nëpër spitale, për pagesa nën dorë e rryshfete, si dhe për trajtim në spitalet private apo deri në Turqi, Itali e Austri. Kjo situatë është e paprecedent në Europë dhe për të gjetur të ngjashmen e saj duhet t’i drejtohesh kontinentit afrikan.
Për mendimin tim, arsyet kryesore që e sollën situatën në këtë pikë janë si vijon:
1. Qeveri e papërgjegjshme.
2. Komitet i paaftë.
3. Sistem shëndetësor i shkatërruar.
4. Komunitet shkencor inekzistent.
5. Bluza të bardha të frikësuara deri në palcë.
6. Opozitë që ka toleruar përtej kufirit të arsyeshëm.
7. Qytetarë që janë mësuar të durojnë çdo padrejtësi që u bëhet.
Në ditët që vijojnë do të mundohem të trajtoj disa prej këtyre temave, duke propozuar edhe rrugëzgjidhjet përkatëse. Fundjavë të mbarë, miq!
Shërim të shpejtë pacientëve-viktima të këtij sistemi të kalbur shëndetësor dhe kësaj qeverie/ministrie të papërgjegjshme… /Nga Erion DASHO, ekspert i shendetit publik/