
Tashmë që numërimi ka përfunduar plotësisht për Qarkun e Shkodrës, për votat brenda e jashtë vendit, është momenti i statistikave, bazuar në zgjedhjet parlamentare të 2021 dhe 2025. Ajo që vihet re, është se konfigurimi i mandateve ka mbetur i njëjtë në kuptimin e krahëve politikë: 6 mandate majtas dhe 5 mandate djathtas.
Partia Socialiste ka një mandat më shumë në 2025 krahasuar me 2021, por duhet të mbahet parasysh kalimi i deputetit të LSI- së në krahun e saj. Partia Demokratike ka ruajtur 5 mandatet, siç edhe PSD ka mbajtur të njëjtin numër ulësesh në Kuvend, 2.
Shifrat numerike, qoftë në përqindje, ashtu edhe në vota, tregojnë një rritje të ndjeshme të Partisë Socialiste në nivel qarku e sidomos në nivel të bashkisë së Shkodrës, krahasuar me Partinë Demokratike.
Në vitin 2021, në nivel qarku, PD fitoi 47205 vota ose 43.80% të totalit, teksa PS mori 30396 vota 28.11%. Diferenca në vota ishte 16809 dhe në përqindje 15.69%.
Në vitin 2025, në nivel qarku, duke llogaritur edhe votimin e Diasporës, sivjet PD mori 43025 vota ose 40.36%, ndërsa PS mori 40421 vota 37.92%. Distanca mes këtyre dy subjekteve është ngushtuar ndjeshëm në 2604 vota ose 14205 vota më pak se në 2021. Në përqindje, diferenca në 2025 është vetëm 2.44%.
Në vitin 2025, në nivel qarku, pa përfshirë votat e Diasporës, PD mori 37173 vota ose 40.08%, ndërsa PS mori 34882 vota 37.61%. Diferenca në numër votash, edhe vetëm nga ato brenda vendin, tregon një rritje të ndjeshme të PS, e cila është vetëm 2291 vota ose 2.47%.
Në bashkinë e Shkodrës, e cila dy vitet e fundit qeveriset nga PS, diferencat janë shkurtuar shumë krahasuar me zgjedhjet në 2021 dhe 2025.
Në vitin 2021, PD mori 29893 ose 54.21% të totalit, teksa PS mori 15848 ose 23.97%. Diferenca ishte 14045 vota ose 30.24% në favor të PD.
Në vitin 2025, PD mori 24155 vota ose 42.17% ndërsa PS mori 22818 vota ose 39.84%. Edhe këtu konstatohet një rritje e dukshme e PS, teksa PD është përpara vetëm 1337 vota ose 2.33%.
Sigurisht, këto janë statistika të ftohta, zyrtare, matematikore nga KQZ dhe çdo interpretim tjetër është subjektiv. Rezultatet përfundimtare, rrjedhimisht edhe vendet në Kuvend në 2021 dhe 2025, përcaktohen pikërisht nga këto shifra. Sigurisht, çdokush mund të bëjë interpretime politike apo të shpopullimit e termave të tjerë, por matematika që vendos në politikë, flet vetëm me gjuhën e shifrave.
Si konkluzion, përballë PD- së, PS- ja ka regjistruar një rritje shumë të dukshme në numër votash dhe përqindje dhe tashmë, duke marrë të qëndrueshme PSD- në në këtë qark, mandati i 5- të për PD- në ose PS- në në zgjedhjet e radhës, si në këto zgjedhje, ndahet me një grusht votash. Teorikisht, nëse trendi aktual vijon, PS mund të marrë mandatin e 5- të në zgjedhjet e radhës parlamentare në dëm të PD- së. /ShkodraWeb/