Numri i aplikimeve për azil për herë të parë nga shqiptarët ka shënuar rënie gjatë shtatorit, në krahasim me një muaj më parë. Sipas të dhënave të Eurostat gjatë shtatorit janë regjistruar në vendet e Bashkimit Europian 1360 aplikime për herë të parë, nga 1635 që ishin një muaj më parë. Megjithatë pesha e aplikimeve për herë të parë nga shqiptarët vijon të mbetet e lartë me rreth 3.7% të aplikimeve për azil në të gjithë BE-në.
Në total për 9 muajt e parë të këtij viti kanë aplikuar për azil rreth 12,705 shtetas shqiptarë në vendet anëtarë të Bashkimit Europian.
Franca kryeson edhe për muajin shtator si vendi me numrin më të lartë të aplikimeve nga shqiptarët me rreth 600 aplikime, nga 660 që ishin gjatë gushtit. Prej fillimit të vitit deri në periudhën raportuese kanë aplikuar për azil 5,130 shtetas shqiptarë.
Vendi i dytë me peshën më të lartë të azilkërkuesve për herë të parë nga Shqipëria ishte Mbretëria e Bashkuar, ku sipas të dhënave të Eurostat vetëm gjatë shtatorit kanë aplikuar 235 shqiptarë. Në total vendi numëron për 9-mujorin 1605 aplikime në total.
Në Gjermani, vendi ku fillimisht u përqendruan aplikuesit për azil nga Shqipëria, është shënuar rënie e numrit të aplikimeve në 130 aplikime nga 165 që ishin një muaj më parë. Gjermania numëron prej fillimit të këtij viti 1,365 aplikime. Për shkak se Gjermania ka një normë shumë më të lartë të refuzimit të kërkesave nga azilkërkuesit shqiptarë, numri i tyre ra ndjeshëm dhe kërkesat u përqendruan drejt Francës, e cila ka politika më pak shtrënguese dhe kritere më të lehta për t’u përmbushur.
Muajt e fundit (gusht dhe shtator) është vënë re dhe një tendencë e re nga azilkërkuesit shqiptar, aplikimet për në Holandë janë shumëfishuar, duke u renditur në vendin e tretë për sa i përket peshës së aplikimeve ndaj totalit të aplikimeve të shqiptarëve në vendet e BE-së. Sipas të dhënave nga Eurostat aplikimet për azil për herë të parë gjatë muajve gusht dhe shtator kanë qenë përkatësisht 130 dhe 200. Gjatë muajve të parë të vitit aplikimet drejt Holandës varionin nga 10 deri në 20 aplikime në një muaj. Shqipëria renditet në 5 nacionalitetet me numrin më të madh të aplikimeve në Holandë.
Në total në të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian aplikuan për herë të parë rreth 38 mijë aplikantë. Numrin më të lartë të aplikimeve vijon ta ketë Gjermania, ku vetëm gjatë shtatorit aplikuan 12,320 azilkërkues. Në vend të dytë renditet Franca me 8,460 azilkërkues dhe Spanja me 4530 azilkërkues të rinj. Gjatë 9 muajve të parë të vitit, Bashkimi Europian numëron 431 mijë 570 aplikime të reja.
Ndërkohë Eurostat ka publikuar edhe të dhënat paraprake për muajin tetor, por që nuk është përditësuar numri i aplikimeve nga të gjithë vendet anëtare të Bashkimit Europian. Gjatë tetorit numërohen rreth 19,580 aplikime. Megjithatë tabela pritet të përditësohet nga vendet anëtarë që nuk kanë raportuar ende shifrat. /Monitor/