Në zgjedhjet e 25 prillit 2021, u konstatuan disa fenomene në qarkun e Shkodrës. Krahasuar me 4 vjet më parë, me zgjedhjet e vitit 2017, pjesëmarrja ishte më e ulët. Nga 42,62% ajo u tkurr në 41,86%, gjithmonë në raport me numrin e shqiptarëve që rezultojnë në lista si votues, pasi kanë mbushur moshën 18 vjeç, pavarësisht nëse janë rezident ose jo në Qarkun e Shkodrës.
Rënia e përqindjes së votuesve, edhe pse thuajse e papërfillshme në raport me 2017- ën, mund të ketë tre arsye. Janë mbi 36 mijë banorët të qarkut të Shkodrës që janë larguar jashtë shteti nga 2014. Nga ana tjetër, zhvillimi i zgjedhjeve në sezon pranveror dhe jë në periudhë pushimesh verore, duket se nuk ka mundësuar ardhjen në Shkodër të emigrantëve, një pjesë e të cilëve edhe kanë votuar kur zgjedhjet janë realizuar në muajt qershor apo korrik. Arsyeja e tretë, mund të jetë mbyllja e mundësisë për të votuar për emigrantët nga Greqia, pasi nëse do të vinin në atdhe, do të duhet të karantinoheshin 2 javë.
Pjesa më e rëndësishme e zgjedhjeve, janë rezultati final i tyre: Sa mandate mori secili subjekt. Në pamje të parë, ka disa anomali, po të gjykosh me ftohtësinë e shifrave. Me 25 prill, PD arriti të marrë më shumë vota në Shkodër se 4 vite më parë, 47205 vota ose 43.80 %. Në zgjedhjet e 2017- ës, PD mori 40763 vota ose 37.1%. Po pavarësisht rritjes me rreth 7 mijë vota ose më shumë se 6%, PD mbeti në nivelin e 5 mandateve. Kjo për disa arsye. E para, ishte rritja e PSD- së, e cila nga 13226 vota ose 12.02% në 2017- ën, mori me 25 prill 16425 vota ose 15.24 %. Votat e shtuara në numër dhe në përqindje, tkurrën edhe LSI- në, e cila nga 12737 votues ose 11.58% para katër viteve, sivjet u ndal në 10100 vota ose 9.37 %.
Partia Socialiste pësoi tkurrjen më të madhe krahasuar me zgjedhjet e 2017- ës. Para katër viteve për PS votuan 39247 persona ose 35.68%, ndërsa sivjet shifrat ishin 30296 vota ose 28.11 %. Tkurrja është mjaft e madhe, në rendin e 9 mijë votave. Përveç se LSI- së, mesa duket PSD I ka marrë vota edhe PS- së, rrjedhimisht, edhe një mandat.
Ndërkohë, mbetet edhe një “depozitë” votash e të ashtëquajturave parti të reja të djathta, si LN, BD dhe LDSH, të njohura me emrat e kryetarëve Topalli, Patozi dhe Murrizi. Sigurisht, edhe Nisma Thurje, e cila u prezantua haptas si pjesë e opozitës. Së bashku, në 25 prill këto subjekte morën 3141 vota. Në një shikim të shpejtë, mendon se se ato kanë marrë vota nga Partia Demokratike, duke i sjellë humbjen e mandatit të 6- të në qark. Në fakt, logjika matematike është tjetër.
Sivjet, në zgjedhje morën pjesë 113895 persona, ose 1495 më shumë se në vitin 2017 ku ky numër ishte 112400. Duket paradoksale, kur si përqindje pjesëmarrja me 25 prill ishte më e ulët në nivel qarku, pork jo lidhet me shtimin e qytetarëve me të drejtë vote, edhe për shkak të shtimit të popullsisë mbi 18 vjeç, pavarësisht vazhdimit të shpopullimit. Me një logjikë të thjeshtë, i bie se personat që janë larguar në 4 vitet e fundit, nuk kanë qenë votues të rregullt dhe nuk kanë shkaktuar “dëm” për asnjë force politike.
Duke bërë përllogaritje të thjeshta matematikore, numri i votave të fituara nga partitë e reja- 3141, shtesën e votave të PSD- së krahasuar me katër vite më pare- 3199 si dhe numrin e votave të pavlefshme që janë dyfishi i atyre të vitit 2017, i bie që të gjithë janë “furnizuar” nga PS- ja, e cila rezulton të ketë humbur rreth 9 mijë vota.
Votat e PSD+ LSI në vitin 2017 janë në total 25963, ndërsa sivjet arrijnë në 26525, me një shtesë 562 vota, sipas gjasave të marra nga “rezervuari” i rrjedhur nga PS- ja në favor të PSD- së.
Rritja reale e PD- së është në rendin e 7 mijë votave, ku në numër votash 1495 janë prurje e re shtesë, të nxitur të mbështesin pikërisht opozitën. Pjesa tjetër, me shumë mundësi, janë vota aleatësh, që ndryshe nga zgjedhjet e 2017- ës, kontribuan katër vjet më pasë në koalicionin e përbashkët PD- AN. Pse nuk moti një mandat shtesë, me 7 mijë vota më shumë se një vit më parë? Kur humbi mandatin PS- ja, 7 mijë vota plus nuk mjaftonin për të hyrë në përllogaritjen e mandatit të fundit, teorikisht. Nëse PD do rritej me aq vota se humbi PD në këto zgjedhje, mandati i gjashtë do të ikte nga PSD- ja tek demokratët.
Përcaktimi i mandateve fituese: PD 5, PS 3, PSD 2 dhe LSI 1, nuk kanë lidhje me numrat e votuesve por me përqindjet. Sepse kjo është formula e përcaktuar në Kodin Zgjedhor. Në total, numri i votave të vlefshme të subjekteve të morën mandate në 2021- in në Shkodër (PD+PS+PSD+LSI) është 104026 ndërsa katër vite më pare ishte 105973, me një ndryshesë 1947 vota. Për një mandat deputeti në Qarkun e Shkodrës sivjet janë dashur mesatarisht 9456 vota, ndërsa katër vjet më pare duheshin 9633 vota. /Nga Blerti DELIJA/