Sporti shkodran në zi, ndërron jetë ish- sportisti dhe ish- drejtuesi i sportit në Shkodër…

Sporti shkodran humbet edhe një tjetër përfaqësues të denjë. Mehdi Milla, ish- sportist por edhe drejtues në vite i sportit në Shkodër, është ndarë nga jeta. Lajmin e trishtë e kanë dhënë në rrjetet sociale familjarë dhe pikërisht pedagogu Gëzim Puka, nipi i Millës.


“Sot ndërroi jetë daja dhe mësuesi im i dashur, Mehdi Milla. Një njeri i përkushtuar për sportin shkodran. Debutoi që në vitet ’60 me të rriturit e Vllaznisë. Për më shumë së një dekadë drejtoi Klubin Vllaznia, pikërisht në vitet ’80, kur futbolli dhe shumë sporte të tjera njohën një rritje në arenë kombëtare dhe ndërkombëtare.

Mehdi Milla kujtohet me respekt nga breza të tërë nxënësish të shkollës së mesme “Jordan Misja”, ku punoi plot pasion si mësues i edukimit fizik. Bashkëpunoi për drejtimin e Vllaznisë edhe në kohën kur ekipi njohu suksese nën administrimin e Myftar Çelës.

Për shumë vite të tjera ishte përgjegjës i sportit pranë Bashkisë së Shkodrës. Qytetarët shkodranë e kujtojnë si njeri energjik dhe optimist, plot dashuri për sportin, të cilit ia dedikoi gjithë jetën…(O Zot, çfarë trishtimi kam…)”, shkruan pedagogu Puka. ShkodraWeb Media i shpreh ngushëllime familjes, të afërmëve, kolegëve, miqve e të njohurve të Mehdi Millës.

ShkodraWeb Channel