Pas qëndrimit në Superiore me fitoren 3- 1 ndaj Besëlidhjes në “Loro Boriçi”, tashmë ajo që ka më shumë interes për tifozët e Vllaznisë është e ardhmja e saj.
Sponsori Alban Xhaferi dhe drejtuesit e tjerë të klubit kuqeblu kanë plane të mëdha për sezonin e ardhshëm dhe ndryshimet kanë nisur në stafin drejtues që në ditën e ndeshjes së fundit, kur u mësua se kroati Matko Djarmati do të jetë drejtori i ri teknik i Vllaznisë. Lëvizja e dytë e rëndësishme te Vllaznia lidhet me stolin kuqeblu.
Drejtimi i Vllaznisë pritet t’i besohet një emri të njohur në ambientin futbolldashës në Shkodër, ish-sulmuesit Auron Miloti. Misioni i trajnerit Hysen Dedja, sipas të gjitha gjasave, përfundoi që pas ndeshjes shtesë me Besëlidhjen, ku shkodranët fituan 3-1.
Kontrata e tij ishte deri në atë ndeshje dhe për Vllazninë e së ardhmes duket se është projektuar pikërisht Miloti në stol. Ish-lojtari i njohur i Vllaznisë dhe Tiranës në futbollin shqiptar, që më pas karrierën e ka vazhduar në Austri, e ka ndjekur nga afër Vllazninë në ndeshjen e fundit në stadiumin “Loro Boriçi”.
Po ashtu, mësohet se ai ka pasur edhe një takim me sponsorin Alban Xhaferi, me të cilin është biseduar për një bashkëpunim të mundshëm. Ka zëra se ata kanë rënë dakord dhe shumë shpejt pritet që klubi shkodran të zyrtarizojë marrëveshjen me 45- vjeçarin që së fundmi ka drejtuar një ekip në nivelin inferior të futbollit austriak, SV Feldkirshen. Aktualisht Miloti ndodhet në Shqipëri për t’u pajisur me licencën UEFA PRO.