“Do të firmos në një tjetër ekip jo me Vllazninë”, 25 vjeçari maqedonas Gjorgi Stoilov: Ju faleminderit, por ndryshova mendje…

Vllaznisë i ndodh sërish precedent si ai i Klodian Gjinos, mesfushorit shqiptar që erdhi në janar në Shkodër për të firmosur dhe më pas iku pasi nuk i pëlqeu ambienti. Të shtunën u raportua se mesfushori nga Maqedonia e Veriut, Gjorgi Stoilov, kishte rënë dakord me shkodranët dhe do të firmoste.

Mirëpo, dje nga ana e klubit Vllaznia konfirmohet se maqedonasi ka refuzuar, pikërisht atëherë kur palët ishin bërë gati të firmosnin kontratën dhe lojtari të prezantohej zyrtarisht. “Ju faleminderit, por ndryshova mendje. Do të firmos në një tjetër ekip”.


Ka qenë ky mesazhi i 25-vjeçarit Stoilov drejtuar zyrtarëve të Vllaznisë, duke lënë shumë të zhgënjyer këta të fundit. Mesfushori konsiderohej si një afrim shumë i rëndësishëm për qendrën e mesfushës, aty ku kanë mbetur vetëm Ardit Krymi dhe Fjoart Jonuzi nga titullarët e sezonit të fundit.

Tashmë drejtuesit kuqeblu janë të detyruar të futen sërish në merkato për një tjetër mesfushor. Në Shkodër po përflitet ardhja e vlonjatit Bruno Telushit, por nuk ka një konfirmim nga ana e drejtuesve. Kësisoj, po shikohet për pista të tjera jashtë Shqipërisë.