Ka përfunduar super ndeshja e javës së 11-të të kampionatit gjerman midis Dortmundid dhe Bajernit të Mynihut. Një ndeshje që filloi me shumë ritëm nga ana e bavarezëve të cilët kalojnë të parët në avantazh me Robert Levandovskin në minutën e 26.
Pjesa e parë përfundon me këtë rezultat, ndërsa pjesa e dytë është një histori tjetër. Marko Rojs barazon shifrat për verdhezinjtë me anë të penalltie të fituar nga vetë ai. Por vetëm 3 minuta zgjat barazimi pasi Levandovski rikthen përsëri në avantazh skuadrën e Bajernit të Mynihut.
Ndërsa verdhezinjtë të cilët nuk u dorëzuan për asnjë moment arritën që të barazonin sërish me Marko Rojs, ndërsa në minutën e 74-t Pako Alkaser shënon dhe golin e tretë që vendos rezultatin përfundimtar të ndeshjes. Më këtë fitore Dortmundi vazhdon marshimin në vendin e parë duke shkuar +7 nga Bajerni i vendit të tretë dhe +4 nga Mynshengladbah i vendit të dytë.