SPAK me 15 prokurorë, një muaj kohë për aplikim, KLP: Si do të bëhet aplikimi…

Këshilli i Lartë i Prokurorisë hapi dje garën për vendet vakante për Prokurorinë Speciale Antikorrupsiin, e njohur ndryshe si SPAK. KLP ka vendosur që numri total i anëtarëve të SPAK të jetë 15, kjo edhe për shkak të fluksit të punës që do të kenë. Prokuroria Speciale, së bashku me Gjykatën Speciale, do të ketë si objektiv korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe “botën e errët”.

Burime nga Këshilli thanë se mund të kandidojnë të gjithë prokurorët që kanë mbi 10 vite eksperiencë dhe nuk kanë pasur masë disiplinore në fuqi. Përjashtohen nga kandidimi anëtarët e këshillit.

Kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi, u shpreh se do zgjidhen prokurorët me kriteret më të mira dhe dorëzimi i dokumenteve pritet të bëhet brenda 1 muaji. “Emërimi i prokurorëve për Prokurorinë e Posaçme është rritje në detyrë.

Do të zgjidhen prokurorët me kriteret me të mira profesionale dhe morale për të qenë anëtar i SPAK. Magjistrati duhet të ketë ushtruar profesionin për 10 vite dhe të mos ketë marrë masë disiplinore. Magjistrati nuk duhet të jetë anëtar i KLP-së dhe duhet të ketë kaluar procesin e rivlerësimit.

Aplikimi s’do bëhet vetëm online, por dokumentet mund të nisen edhe me postë”, u shpreh kreu i KLPsë, Ibrahimi. Me ngritjen e Prokurorisë dhe Gjykatës speciale, hapet dhe rruga për krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, e cila do të funksionojë sipas modelit të FBIsë amerikane.

Loading...