Nënkryetari i PD, Edmond Spaho u shpreh në emisionin “45 minuta” me gazetarin Denis Minga në Report Tv se Kuvendi duhet të japë autorizimin për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, pasi sipas tij vetëm kështu ai mund të hetohet nga Prokuroria.
Spaho tha se opozita ka dyshime se Tahiri mund të prishë provat, ndërsa solli në vëmendje nxjerrjen e emrit të dëshmitares së mbrojtur nga Prokuroria, e cila sipas organit të akuzës dëshmon lidhjet e Habilajve me ish-ministrin e Brendshëm.
“Mund të prishë provat. Doli emri i dëshmitares dhe ajo do tërhiqet. Sepse është dekonspiruar dhe kjo është garancia që të jep sistemi juridik, policia”, tha Spaho.
Sipas tij, provat për Tahirin janë të pakundërshtueshme, ndërsa shtoi se rezultojnë të implikuar edhe zyrtarë të niveleve të tjera, ndër ta punonjës të policisë. Pas votimit të së mërkurës, Spaho paralajmëroi se do opozita do përdorë të gjitha mjetet përfshirë këtu edhe protestat. Por shtoi se çdo protestë që do zhvillohet, do jetë paqësore dhe nuk do të ketë 21 janar të dytë. /shqiptarja.com/