Mirsad Jonuz debutoi me fitore në stolin e Vllaznisë, teksa shkodranët mposhtën me rezultatin minimal Laçin në “Loro Boriçi”. Në intervistën e dhënë për “Gol pas Goli” në Supersport, tekniku nga Maqedonia e Veriut theksoi se sot ishte me rëndësi fitorja, ndërsa zbuloi edhe detaje nga merkatoja e shkodranëve.
Si ndihesh për fitoren e parë, në ndeshjen e parë në stolin e Vllaznisë?
Është shumë e rëndësishme për klubin tim, për qytetin, fansat, futbollistët dhe të gjithë. Ishte vetëm ndeshja e parë dhe duhet ta nisnim me këmbën e mbarë, por na pret një punë shumë e madhe në ditët në vijim. Megjithatë kam besim te futbollistët e mi dhe do të fillojmë të mendojmë menjëherë për ndeshjen e radhës, që vjen vetëm 3 ditë më vonë në Ballsh. Edhe Laçi pati mundësitë e tij sot, por duhet të gëzojmë fitoren dhe të presim të rikuperojmë edhe lojtarët që erdhën rishtazi.
Çfarë objektivi ju kanë vënë drejtuesit e klubit, kur erdhët këtu?
Për mua është shumë e rëndësishme që para së gjithash të ndërtojmë një ekip të mirë dhe më pas të shohim hap pas hapi. Sot ishte me rëndësi të merrnim pikët, ashtu si edhe në dy ndeshjet e radhës, ndërsa në takimet në vijim, duhet të përmirësojmë shumë aspekte, si në aspektin teknik e taktik, ashtu edhe atë psikologjik. Ne presim të rikuperojmë një futbollist mjaft të fortë, si Ramadani, ndërsa në ditët në vijim do të vijë edhe një mbrojtës i majtë nga Uganda, që ka një problem me vizën momentalisht. Me këto afrime, por edhe futbollistët aktualë, besoj se do të bëjmë një sezon mjaft të mirë, për klubin dhe tifozërinë e Shkodrës.
Ka filluar sezoni dhe nuk keni ende organikën e plotë. A është normale kjo situatë?
Është situatë normale, por besoj se ditët në vijim do të jemi më të plotë. Bashkia po na ndihmon dhe duhet të falënderoj edhe njëherë fansat, që janë të mrekullueshëm. Futbollistët sot dhanë gjithçka edhe për këta fansa.