“Sot duan të fitojnë ata që shitën ndeshje”, Rudi Vata për dështimet në Europë: Klubet shqiptare besojnë te bixhozçinjtë

“Ky është realiteti i jetës në Shqipëri. Këto rezultate janë pasqyrë e kampionatit, kështu që askush të mos surprizohet. Vuajtje, mjerim dhe shumë… p*rdhë”. Rudi Vata është i drejtpërdrejtë kur pyetet për dështimin e klubeve shqiptare në Kupat e Europës dhe e ka shumë të qartë pse skuadrat tona nuk bëjnë dot hapa para. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ish-kapiteni i Kombëtares i bën një analizë asaj që prodhoi muaji korrik për katër ekipet që morën pjesë në kompeticionet e UEFA-s, nga ku vetëm Laçi kaloi një tur.

Rudi, që në fillim thatë që nuk jeni i surprizuar për dështimin e klubeve tona në Kupat e Europës. Pse mendoni kështu?


Mendoj kështu, sepse sinqerisht e lidh çdo gjë me jetën sociale në Shqipëri. Çfarëdo e mirë dhe e keqe që ndodh në Shqipëri, edhe futbolli nuk ka se si shkëputet. Duke qenë se jemi një vend me probleme të mëdha në të gjitha aspektet, sigurisht që nuk mund të presësh të kesh prodhim më të madh se kaq.

Nuk mund të kesh rezultate të mira në një vend ku ekziston nepotizmi dhe korrupsioni. Këtu unë fus edhe shitblerjen e ndeshjeve. Për mua, një lojë që fiksohet është e korruptuar. Pastaj, investimet që bëhen në futbollin tonë, mendoj se janë pa llogari profesionale.

Në ç’kuptim pa llogari profesionale?

Për shembull klubet tona investojnë te shumë futbollistë të huaj, ku shumica prej tyre kanë cilësi ordinere. Ekipet shqiptare nuk kanë durim, në një kohë që duhet të punojnë me një tjetër strategji. Në aspektin financiar është shumë e vështirë që të përballosh një futboll të varfër pa të ardhura nga marketingu, e drejta televizive dhe shitja e biletave. Pra, nuk mund të përballosh lojtarë që merren me vlera mijëra euroshe.

Këtu investohet në mënyrë të gabuar, ndërsa qëllimi i vetëm i klubeve elitare është të jenë pjesë e Kupave të Europës. Për mendimin tim llogaritë bëhen gabim dhe këtu nisin problemet me deficite financiare, stabiliteti dhe ekuilibra që prishen. Kur humb objektivin, sigurisht duhet të humbësh edhe ekuilibrat. Këta duan të mbërrijnë në Europë dhe të kapin diçka nga bonuset e UEFA-s.

Gjithsesi, mundësitë për të bërë më mirë në një kompeticion si Liga e Konferencës ishin, pasi në turin e tretë janë kualifikuar edhe disa klube me nivel futbolli më të ulët se Shqipëria…

Kur t’i punon si duhet, rezultatet do të vijnë. Jam i bindur se në të gjitha drejtimet këtë edicion klubet shqiptare kanë marrë atë që kanë punuar. Nuk kanë punuar për më tepër dhe për këtë duhet të jemi koshientë. Nëse ne kemi pretendime që kjo punë që kanë bërë është e mjaftueshme që të kalojnë disa ture, është llogari tjetër.

Në vizionin tim, nuk kanë punuar për më tepër, edhe pse mund ta kalonin një tur më shumë, por kjo nuk do të bënte ndonjë diferencë të madhe. Nuk do të habitesh duke thënë: Uaaaa! Në Ligën e Konferencës, klubet po të jenë pak më mirë të organizuara, sigurisht që mund të shkojnë deri në “play off”. Aty janë skuadra të vendeve të vogla që po ecin shumë dhe kjo tregon se ku jemi ne si kampionat shqiptar. Nëse ne jemi mburrur me Skënderbeun që u dënua në mënyrë shembullore, atëherë jemi gabim, sepse pas gjithë atij progresi që bëri, përfundoi në gropë të madhe.

Ju mendoni se historia e suksesit të Skënderbeut nuk duhet marrë fare si shembull…

Në një kohë që duhet të kishim vazhduar të rriteshim duke u bazuar te sukseset e Skënderbeut, tashmë ky klub është harruar. Kjo mund të ndodhë vetëm në një vend që quhet Shqipëri. Pra, një ekip që dominon për një dekadë, merr më pas një dënim shembullor dhe përfundon në kategoritë inferiore. Këtu dalim te ajo që themi vazhdimisht: stabiliteti, ruajtja e balancave, strategjitë afatgjate.

Qëllimi kryesor në klubet shqiptare është të mbijetojnë sezonin, nuk shikoj ndonjë që të ketë një projekt serioz për të ndërtuar një strategji 5 apo 10-vjeçare. Nuk shikoj asnjë ekip konstant që prodhon lojtarë. Shumicën e klubeve elitare që kemi, e bazojnë ndërtimin e skuadrës tek elementi i huaj. Mund të japin një lloj produkti në kampionatin shqiptar, por këta të huaj kur vjen situata për t’u përballur në Europë me rivalë nga Rumania, Bosnja etj., e kuptojnë se sa deficite kemi dhe sa na thellohen. Skuadra nga Moldavia dhe Gjeorgjia kanë qëllime të rëndësishme, pasi po ndërtojnë struktura dhe baza.

Ne nuk jemi një vend i mirorganizuar apo disiplinuar, për të pasur mirë futbollin. Jemi një vend i ndërtuar me gënjeshtra. Kur dominon gënjeshtra, nuk mund të ndërtosh sukses. As justifikimet nuk të çojnë te suksesi. Kur arrijmë diçka ne fryhemi shpejt si popull, ndërsa kur dështojmë, mundohemi të gjejmë alibi. Ne nuk e pranojmë dështimin apo ta analizojmë atë, por gjejmë justifikime dhe mendojmë se u çliruam.

Rezultati të vjen me punë, seriozitet dhe disiplinë. Ky i fundit është elementi bazë, kështu që mos prit të ketë suksese në një vend të padisiplinuar siç jemi ne. Po të shikosh edhe këto ndeshjet e Tiranës dhe ekipeve të tjera, vetëm disiplina ka bërë diferencën. Ne nuk është se s’dimë të luajmë futboll, por kur vjen puna te disiplina jemi deficitarë.

Të flasim më konkretisht për skuadrat. Tirana kampione doli nga Europa me katër humbje radhazi. Ju bëri përshtypje?

Për një ekip kampion dhe një klub si Tirana, është totalisht e papranueshme dhe e pajustifikueshme. Bëhet fjalë për klubin më potent që ka Shqipëria sot, duke pasur parasysh edhe infrastrukturën që ka, prandaj them që me Tiranën nuk ka justifikim. Katër humbje në po kaq ndeshje janë shumë, për më tepër kur ke pritshmëri të mëdha nga lojtarët që kanë bërë diferencën në kampionatin e kaluar.

Pra, pas gjithë këtij investimi të presidentit Halili, po të shikosh rendimentin e futbollistëve, ka qenë zero. Kjo duhet analizuar, pra a është strategji fitimprurëse dhe që të jep shpresë? Për mendimin tim është strategji e gabuar. Tirana është një klub që ka shumë avantazhe në krahasim me ekipet e tjera. Kur ke kushtet e mira, ke mundësi për më tepër duke krijuar lloj-lloj strategjish. Mirëpo, të duhen njerëz, jo llafazanë. Nuk të duhen ata që fryhen si kokoshë.

Sipas jush, Tirana nuk i ka njerëzit e duhur për të pasur progres?

Nuk bëhesh i zoti duke u fryrë sa më shumë. I zoti bëhesh nëse ke mentalitetin dhe seriozitetin për punën. Futbolli nuk bëhet me llafazanë, dembelë, qoftexhinj dhe bixhozçinj. Këta të fundit e kanë vendin në kazino, jo në klube. Futbolli është sport i njerëzve me karakter dhe vlera. Nuk mund të kesh ti vlera pazarxhinjsh dhe të bëhesh pjesë e një klubi futbolli.

Këtu ngatërrohen gjërat, pasi përzihen njerëz që nuk kanë kontribute ose i kanë minimale dhe bëjnë Ajnshtajnin në futboll. Këta presidentë bëhen shpesh edhe viktima të këtyre mashtruesve. Nëse shikon CV-në e tyre janë dështakë në të gjitha drejtimet, duke parë edhe se ku e kanë marrë edukimin profesional. A kanë qenë seriozë në aspektin individual? Ka edhe futbollistë bastexhinj që janë bërë trajnerë futbolli sot.

Ata që kanë shitur ndeshje, sot kërkojnë të fitojnë. Gjithë këta njerëz që kanë marrë pjesë në manipulime ndeshjesh, nuk mund të ndërtojnë një sistem të pastër. Unë si Rudi, nëse isha pjesëtar i klanit të shitblerjeve, nuk do të kisha marrë pjesë për të edukuar një brez të ri. Kjo është e pamoralshme, mirëpo sërish këta njerëz afrohen. Ata që kanë një të kaluar të errët, sërish afrohen dhe u jepet mundësia të menaxhojnë një skuadër futbolli. Kjo nuk sjell zhvillim.

Më konkretisht kujt i referoheni…?

Unë nuk flas vetëm për Tiranën këtu, por në përgjithësi për futbollin shqiptar. Janë afruar elementë që nuk janë pjesë e rëndësishme e historisë së futbollit shqiptar. Duhen zgjedhur ata që kanë mentalitetin profesional, jo të përqendrohen te njerëzit e pazareve.

Nëse duan t’u bien gjërave shkurt, nuk do të kenë rrugë të gjatë. Logjika është krejt e thjeshtë, sepse kur zgjedh njerëzit që kanë ambicie profesionale, seriozitet dhe moralisht janë të lirë për të bërë gjënë e duhur, progresi do të vijë. Në futbollin shqiptar ka shumë mëkate dhe mëkatarë, që tani po bëjnë rolin e engjëllit dhe njerëzve të duhur. Këtu është edhe gabimi, por nuk e ka vetëm futbolli këtë hall.  Është shumë e rëndësishme që të jesh njeri i mirë, përveçse lojtar i mirë. Nëse je pjesë e pazareve, e ke humbur vlerën.

Të kalojmë te Partizani, që fitoi ndeshjen e parë në Gjeorgji dhe më pas u eliminua në Tiranë…

Partizani u eliminua më tepër nga moseksperienca dhe cilësia e lojtarëve që ka.  Te Partizani janë fokusuar te Skuka, por i mungon eksperienca atij djaloshi. Nuk e ka instiktin e “killer”-it para portës dhe në nivele të tilla, një ose dy raste të humbura janë shumë për klubet tona, që jemi të vegjël në arenën ndërkombëtare. Partizani ka një trajner të ri, që duket me entuziazëm dhe ambicie, por kur të mungon përvoja dhe lojtari gol, është e vështirë. U bë vite që flitet se u mungon golashënuesi tipik. Megjithatë, për mua Partizani është një prej klubeve më me pak fat në gjithë historinë e rrugëtimit të ekipeve shqiptare në Europë.

Vllaznia e nisi nga turi i dytë dhe me barazim në ndeshjen e parë, por pastaj u limitua në Rumani ndaj Universitata Kraiovës…

Kam qenë në stadium në ndeshjen e parë në Shkodër. Në pjesën e parë luajtën shumë dobët, ndërsa Josa e ndryshoi skuadrën në pjesën e dytë dhe arritën të barazonin. Vura re se në momentin kur Vllaznia mundohej të vinte nën presion rumunët, ata bëheshin normalë. Universitatea nuk ishte një kundërshtar i jashtëzakonshëm, por gjithsesi mendoj që edhe në ndeshjen e dytë, Vllaznia shkoi me synimin për të mos pësuar. Mirëpo, kur ti mendon më shumë për të mbajtur portën e paprekur, atëherë duhet të kesh edhe efikasitetin e kundërsulmeve, që me 2-3 të tilla, të shënosh.

Vllaznia nuk e kishte këtë, për më tepër që rumunët nëse i sulmoje, mund t’i thyeje. Mbrojtësit e Kraiovës nuk ishin në nivelin e duhur, por Vllaznia nuk krijoi asgjë. Priti dhe e pësoi, duke humbur më pas ekuilibrat dhe stabilitetin. Nuk e kishte forcën sulmuese, edhe kur u fut Latifi. Skuadra kishte deficite dhe ishte pa forcë për të sulmuar. Edhe kur ishte 3-0, pavarësisht ndërrimeve që bëri Josa, nuk pati as freski dhe as agresivitet në sulm.

Vllaznia nuk meritoi më shumë, pavarësisht tentimeve që bëri në Shkodër, pasi në Rumani tregoi se nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të shënuar. Kundërshtari ishte efikas dhe zot i lojës. Vllaznia duhet të jetë si e pjesës së dytë në Shkodër për të pretenduar. Kjo lloj loje duhet interpretuar për 90 minuta, jo vetëm për 20. Josa është nga trajnerët më të mirë që ka Superiorja, pasi ka eksperiencën e mjaftueshme. Ai e di mirë se si funksionon kampionati shqiptar. Është një trajner i nevojshëm për Vllazninë, por shpresoj që të evidentojë lojtarët që do t’i duhen për ta çuar te goli dhe për të pasur sukses.

Laçi është i vetmi ekip që kaloi një tur në Europë, por ngeci në momentin më të papritur…

Laçi ishte skuadra që mund të ecte dhe pritshmëritë ishin të mëdha në momentin që barazoi në Moldavi. Edhe unë e shikoja favorit kryesor nga të gjitha ekipet që mund të na përfaqësonin më tej në Europë. Ndodhi një shpërfytyrim që nuk arrij ta kuptoj. Si ka mundësi që në 30 minuta të pësosh ato gola?! Por, edhe Laçi skuadër shqiptare është, kështu që njerëzit gabojnë. Në aspektin personal klubi dhe trajneri kanë marrë një goditje të madhe, sepse ishte humbje e turpshme. Shpresoj që të dalin në konkluzionet e duhura dhe të rregullojnë gjërat, pasi ai rezultat 1-4 nuk është normal për mua.

Mbiemri Vata në futboll vazhdon te Sëlltiku. Një koment për djalin tuaj, Roko, çfarë pritshmërish keni?

Djali po rritet dhe mendoj se është brenda të gjitha pritshmërive, pasi po merr ato dozat e duhura. Është vetëm 17 vjeç dhe ka bërë një progres për t’u admiruar. Fizikisht është gati për hapin e madh, por tani ka nevojë të punojë shumë në disa aspekte të lojës. Kam kënaqësinë të them se është në rrugë të mbarë, pasi ka mentalitetin e punës dhe është i programuar për të mbërritur diku.

Megjithatë, duhet të kuptojmë se kohët kanë ndryshuar shumë dhe nuk është njësoj si në rininë time. Me të rinjtë e sotëm nuk është aspak e lehtë. Kanë mbërritur kohët moderne dhe jeta është transformuar për të gjithë. Është e vështirë që një i ri i sotëm të kuptojë se çfarë kemi hequr ne. Ajo që më vjen mirë është se Roko po punon shumë.

Thatë që shumë gjëra kanë ndryshuar në futboll, por a jua dëgjon djalit këshillat që ia jepni?

Deri para 6 muajsh punonte si e gjithë skuadra, duke bërë nga 5 kilometra ekstra. Unë i kërkoja të bënte 10 kilometra. Më thoshte “jo, do të bëj 5, sepse aq na ka thënë klubi”. OK i thashë, t’i do të dalësh i diferencuar nga të tjerët apo të jesh si të gjithë peshqit në një oqean. Pra, nëse ai do që të jetë një “peshkaqen”, duhet të bëjë 10 kilometra dhe të jetë 5 kilometra para shokëve të tij, edhe pse është vetëm 17 vjeç.

Të them të drejtën, përpara se të shkonte me ekipin e parë të Sëlltikut në fazë përgatitore, i parapriva, duke i thënë se këto kilometra i kishte detyrim t’i bënte, pasi atje do të ballafaqohej me burra nga 24-25 vjeç. Duke qenë ende i njomë, normalisht do të kishte vështirësi. Sigurisht ka nisur që t’i bëjë edhe ato 10 kilometra dhe e ka përballuar mirë fazën përgatitore.