3 punonjësit e Bashkisë së Matit, të cilët u vranë dje nga një 51-vjeçar, ku shkak i ngjarjes u bë rruga e fshatit Shëlli, u përcollën sot për në banesën e fundit. Mentor Hoxha, (i vrarë në vend) Erzen Aliaj dhe Hamit Buçi (ndërruan jetë në spital) mbetën viktima të sulmit me armë, krim për të cilin u arrestua Kujtim Koxha, ish-kryetar i PS për këtë zonë.
Ndërkohë, i plagosur mbeti shtetasi Astrit Hani. Mësohet se në ceremonitë mortore të tre viktimave marrin pjesë stafi i Bashkisë Mat, këshilltarë, përfaqësues të PS dhe të PD, si dhe deputeti i LSI-së Përparim Spahiu si dhe Arqipeshkvi Dom Gjergj Meta. Varrimi i tre punonjësve do të bëhet i ndarë, pasi ata jetonin në fshatra të ndryshme, konkretisht në; Zonisht, Burgajet, Shëlli. Po ashtu Doçi pohoi për ‘BalkanWeb’ se rreth orës 17:00 në Mat për të vizituar familjarët e viktimave do të shkojë edhe kryetari i PD-së Lulzim Basha.