
Protesta e qytetarëve kuksiane dhe jo vetëm në Rrugën e Kombit ditën e shtunë ka ngrohur zemrat e çdo shqiptari që prej rrëzimit të diktaturës vuan mbi shpatulla një diktaturë të formës moderne: shfrytëzim dhe nëpërkëmbje.
Mirëpo, pas protestës erdhi terrori i Policisë së Shtetit ku prej të dielës ndodhen në qeli 24 kuksianë dhe kjo është të shkelësh ligjin me ligj…shteti e ka në dorë këtë.
Të shumtë janë ata që u solidarizuan me qytetarët e Kukësit dhe të vetmit që nuk iu bashkuan janë militantët e partisë në pushtet, ndërsa ata të opozitës mundohen me çdo lloj vegle që ta vjedhin kauzën e tyre.
Lajmi i mirë është që nga informacionet e nxjerra në bisedat me të afërmit e arrestuar, të cilët mbahen në Tiranë, ata janë distancuar nga çdo parti.
Tymi dhe flaka që doli në Rrugën e Kombit me sa duket ia errësoi shikimin dhe ia humbi vetëdijen pushtetit, por çdo qytetar e di mirë që ajo flakë ishte shenja e parë e ngjizjes së një revolte popullore, një revoltë edhe më e frikshme se çdo tjetër pasi është ngritur nga vetë populli pa asnjë dorezë partiake.
Dy ditët e fundit në rrugët e Tiranës janë shkruar shumë parrulla kundër Ramës, kundër taksave, kundër represionit policor dhe pro lirisë!
Disa prej tyre po i sjellim më poshtë.
Solidariteti me kuksianët në këto momente është gjëja më e paktë që një qytetar sot mund të bëjë./joq/