Mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste do të nisë me prezantimin dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Mirëkuptimit ndërmjet Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Sekretarit të Përgjithshëm të PS dhe ministrave.
Ndërsa marrëveshja pritet të prezantohet e plotë sot tek deputetët, keto jane disa prej pikave të kësaj marrëveshje, që në thelb ka për qëllim llogaridhënien e ministrave tek deputetët dhe baza. Në bazë të kësaj marrëveshje, deputeti i çdo zone është i detyruar që një herë në muaj të shkojë pranë qarkut që përfaqëson dhe të dëgjojë nga afar shqetësimet e bazës. Po ashtu këtë ritual do ta ndjekë edhe çdo ministër, 1 herë në vit.
Koordinator Kombëtar për bashkëqeverisjen me njerëzit për mandatin e dytë të qeverisjes është zgjedhur ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje vihet në zbatim edhe ideja e bashkëqeverisjes me qytetarët e kryeministrit të vendit, Edi Rama.
“Është një marrëveshje që sanksionon rregullat e bashkëpunimit dhe ndërveprimit mes qeverisë, grupit dhe PS, si tre pjesë të pandashme të të njëjtit ekip. Marrëveshja përmban gjithçka na duhet për të pasur një fuqi qeverisëse si asnjëherë më parë. Lidershipi i grupit, nuk është formal, por është pjesë e ekipit qeverisës dhe po ashtu me detyra të përcaktuara për çdo nënkryetar grupi për të garantuar sinergji. Jemi një parti. Jemi një fuqi. Nuk jemi të ndarë në shtresa. Shtresa e lartë në qeveri, shtresa e mesme në kuvend dhe shtresa e ulët, atje larg për të cilët kujtohemi vetëm kur ka zgjedhje” pati deklaruar më herët Rama.
Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, në fjalën e tij ka treguar se cilat do të jenë angazhimet e tre palëve që marrin pjesë në marrëveshje.
“Kjo është një marrëveshje mirëkuptimi që do firmoset nga tre palët sot. Kjo marrëveshje ka disa angazhime të të tre palëve.
Secila prej tyre angazhohet:
-të bashkëpunojë pa ndërprerje për të rritur cilësinë e procesit demokratik dhe bashkëjetesës politike në Kuvendin e Shqipërisë dhe jashtë tij
-për të zgjeruar bazën e shumicës, qeverisjen në komunikim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me qytetarët në çdo komunitet
-për të ruajtur dhe forcuar lidhjen me elektoratin dhe anëtarësinë e Partisë Socialiste
-për t’iu përgjigjur në kohë shqetësimeve e ankesave të njerëzve dhe familjeve të zakonshme
-për të vendosur përpara përgjegjësisë në kohë reale çdo zyrtar që identifikohet në shkelje të së drejtës së qytetarit për të marrë një shërbim apo rezulton në shkelje të etikës publike
-për të dekurajuar çdo formë nepotizmi e klientelizmi partiak në emërime dhe për të reaguar vendosmërisht ndaj çdo rasti ku konstatohen këto fenomene
-për të ruajtur e forcuar kohezionin e brendshëm duke fuqizuar debatin
-për të kontribuar në nivel kolektiv e individual në ushqimin e një klime besimi, respektimi reciprok
-për të mbështetur nismat ligjore dhe reformat e ndërmarra nga qeveria
-për t’iu përgjigjur me përkushtim njerëzor dhe seriozitet maksimal detyrimeve të këtyre çështjeve,” tha Balla. /balkanweb/