Kisha dëgjuar, por fizikisht takimi i parë me Skender Drinin ishte në fundverën e 1997-ës në Shkodra TV1. Së bashku me disa kolegë të tjerë, pronarët e këtij televizioni i kishin besuar administrimin e tij. Ne, që pretendonim të bëheshim pjesë e këtij televizioni, na priti në një si kapanon, në katin e parë, afër shkollës së muzikës. Ishte një ndërtesë e re, akoma e pasuvatuar e sistemuar mirë.
I ftohtë, me cigaren e tij të pandarë në dorë dhe me paketën “Karelia” mbi një tavolinë të stilit “të vjetër”. Fillimisht pyetje për emrin, mbiemrin, arsimin. U çudit pak, i diplomuar për matematikë- fizikë dhe për t’u bërë pjesë e një televizioni?! Dikush që kishte në krah, përmendi që bashkë me një shok, kishim bërë atë që mund të quhej minidokumentari i parë i Shkodra TV1, “Dritëhijet e një qyteti”. E në fakt, bashkë me shokun tim, Fredin, ishim paraqitur për audicionin. Nuk zgjati as 15 minuta ky takim.
Pas disa ditëve, dikush na njofton se ishim përzgjedhur për tu bërë pjesë e Shkodra TV1. Natryrisht, eksperienca, nëse mund të quhet e tillë ajo 3-4 vjeçare në Radio Shkodra, e kishte shtyrë Drinin por edhe kolegët e tij të tjerë, të na jepte mundësinë të provohemi.
E nga ajo ditë, me Profesorin kontaktet ishin të përditshme. Mbledhjet e mëngjesit i zhvillonte rigorozisht. Analizë e thellë, e gjërë dhe konkrete për atë që ishte bërë një ditë më parë por edhe çfarë do të bëhej sot. Blloku i tij i shënimeve, që nuk e ndante nga dora u bë mitik për mua.
Kërkonte debatin edhe me një person që kishte zero eksperiencë në media. Nëse imponohej, e bënte gjithmonë përmes argumenteve. E kur e shihte se ai që kishte përballë, nuk arrinte të kuptonte atë që po i thoshte, përgjigja ishte e shkurtë: Mirë, bëje njëherë kështu si them unë! E natyrisht, më pas e kuptonim se ti viheshe pas Profesorit, nuk ishte e lehtë.
Prania e tij në mjediset e Shkodra TV1, ishte e vazhdueshme. Pushimin e drekës e kalonte gjithmonë në shtëpi, ku e priste Karolina e tij. Ajo ishte motivi i jetës dhe shqetësimi më i madh. Pasditeve, jo gjithmonë, por shumë shpesh shfaqej sërish në televizion. Ishte shtëpia e tij e dytë. Këtë frymë mesa duket e injektoi tek të gjithë, të paktën këtë e kam konstatuar tek vetja ime.
Kam pasur kënaqësinë ta intervistoj disa herë Profesorin. Enciklopedi e gjallë që të mësonte shumë edhe thjesht duke iu përgjigjur pyetjeve që i drejtoje. Më ka mbetur në mendje një intervistë e fillimvitit 2000, kur Shkodra TV1 ishte transferuar në ambjentet e Radio Shkodra. Si diplomat, vjen 5 minuta para fillimit të intervistës. Por ne nuk ishim akoma gati. Mesa kujtoj, çështje teknike. Po ndez një cigare, më tha. Nuk vonoi dhe gjithçka u bë gati. Profe, a futemi në studio? Fiku cigaren dhe zuri vend në tavolinën ku do të bëhej biseda. Sa mund të zgjasë biseda, më drejtohet. Rreth 40- 60 minuta, i them. Po si t’ia bëj për cigaren, më thotë. Profe, nuk lejohet në studio. Pastaj, para kameras do të dalë më shumë tym duhani se ne. Pastaj kam edhe të ftuar tjetër më thotë. Unë do ta ndez në studio, më thotë. Përndryshe, nuk mund të jem në intervistë më kthehet. Duke e njohur, nuk mund ta diskutoja dëshirën e tij. Për mua ishte detyrë. Me urgjencë i them një prej kameramanëve të sjellin një taketuke dhe emsioni është zhvilluar me Drinin që pinte cigare, por i kujdesshëm që të mos dilte në kamera duke thithur cigaren. Nuk e di nëse është ruajtur kjo kasete VHS, por kam përshtypjen se është emision unikal. Jo për cigaren, por për argumentimin e çështjeve që diskutuam.
Në fakt, në bisedat e tjera në studio, nuk më vuri asnjëherë “kushte” të tilla. Por gjithmonë pyeste se pas sa minutave do të kishte publicitet për të tymosur dy cigare. E në disa raste, publiciteti duhej zgjatur që Profja të kishte mëndësi të pinte cigaren e tij.
Skender Drini ishte autoritar. Jo në kuptimin e parë të fjalës. Por dimensioni i tij të imponohej. Në shumë raste ngurroje të futeshe në bisedë- debat. Për shkak të punës impenjative, takimet jashtë studiove televizive, kanë qenë të rralla. Por edhe ato pak momente që kemi kaluar në kafe, kanë qenë të jashtëzakonshme, grimca shkolle të vlefshme.
E sot, kur mbushen 4 vjet që Skender Drini nisi një udhëtim drejt një destinacioni që vetëm ai e di, ndjej keqardhje për kohën e pakët që kalova me të. Nuk guxoj ta quaj veten mik të Profesorit. Nuk ia kam thënë asnjëherë sepse nuk mund të afrohem në këtë rreth që numërohet me gishta dore, siç thotë miku i tij Xhahid Bushati. Por të paktën sot, e pohoj me krenari: Po, e kam njohur Skender Drinin, kam marrë nga koha e tij, vazhdoj të mësoj nga ai edhe sot. Se si jetohet me dinjitet, se si jetohet mes njerëzve edhe kur nuk je më fizikisht mes tyre. Skender Drini dhe ke thënë gjithçka! Për ata që kanë patur fatin ta njohin… /Nga Blerti DELIJA/