Ende pa u inauguruar rruga Shkodër-Velipojë ka pësuar çarje dhe dëmtime të shumta në shtresën asfaltike. Edhe pse rruga ende nuk është përfunduar e plotë dhe burokracitë vijojnë ta mbajnë peng, vecanërisht në zonën e Berdicës sa i përket shpronësimeve, tashme me këtë dëmtim të ri, i del një tjetër detyrë që të riparohet edhe rishihen pjesët e përfunduara, që të mos ketë përsëritje të këtyre situatave.
Shembjet që ka pësuar rruga nga Ura e Gjo Lulit e deri në Mali Kolaj janë të dukshme saqë arrijnë në kufijtë e një skandali.
Ministria e Transportit dhe fondi shqiptar i zhvillimit duhet që të të hapin një hetim për të zbuluar shkaqet që kanë sjellë këto shkarje, pikërisht pak muaj pasi rruga u vu në dispozicion të udhëtareve.
Ndërkohë në rrugë një tjetër fenomen është edhe ai i shkarjes masive të dherave nga mali si shkak i reshjeve të shiut ditët e fundit.
Mjetet duhet të bëjnë shumë kujdes edhe për pozicionin e kthesave ku janë edhe defektet e rrugës.
Ishte parashikuar që segmenti nga Ura e Gjo Lulit e deri në Mali Kolaj që në nisje se do të ishte më i vështiri për shkak të terrenit, ku janë kryer edhe hapje në mal, si dhe kthesat e forta, por natyrisht dëmtimi i pësuar është i pajustifikuar për sa kohë që territori dihej që në nisje.
Është cilësuar një nga investimet më të rëndësishme për Shkodrën, me vlerë 20 milion dollarë, por rruga e Velipojës po shkon drejt shkatërrimit ende pa përfunduar punimet. /StarPlus TV/