SKANDALI – Gjykata detyron KD- në të mblidhet për Drejtorin e ri të RTSH-së, “filmi mafioz i Leka Bungos nuk doli dot në transmetim”

Atë që po ndodh në median publike, asnjë media nuk po e pasqyron. Kaq mjafton të kuptosh se si janë ‘punët’ me mediat këtej nga ‘katundi’ ynë Shqipëri. Gjykata ka detyruar Këshillin e RTSH-së të mblidhet urgjent për të zgjedhur Drejtorin e ri të Televizionit Publik, pas 7 muajsh vonesë dhe ky zhvillim, pa asnjë dyshim, quhet SKANDAL.

Në këto kushte, Leka Bungo, ‘aktorit që i rrinë më mirë rolet mafioze’, është detyruar të thërrasë Këshillin Drejtues në RTSH, pikërisht ditën e sotme. Pse u desh që të kalonte kaq shumë kohë e të detyrohej nga Gjykata për ta mbledhur Këshillin, Leka Bungo, njeriu që u zgjodh nga 77 deputetë të Kuvendit?!


Akti mafioz i këtij njeriu shqetësoi edhe organizmat ndërkombëtarë, aq sa raportet që vinin nga Evropa gjithë këta muaj, ngrinin alarmin për lirinë e medias në Shqipëri dhe shembullin kryesor paraqisnin lënien pa Drejtor të RTSH-së. Kjo, pasi Leka Bungo ishte i zënë me ‘skenarë’ të tipit ‘si t’ja fuste’ ish-Drejtorit Thoma Gëllçi e të tjerë ‘filma në xhirim’ si këto, por që për fatin e keq të Lekës, nuk do të transmetohen kurrë.

‘Gjykata ia preu shiritin e xhirimit’.

Të mos i hyjmë pastaj prapaskenave të punëve drejtuese në RTSH, se ajo që del është abuzim i paprecedentë me paratë e shqiptarëve. Mos vallë Leka kujton se RTSH është si ai TV privat lokal që ka ai, e duhet të bëjë biznes?! Zoti Lekë, me TV privat që ke apo ke patur, je i lirë të veprosh si të duash, por jo me logon që mbahet nga xhepat e shqiptarëve. Plus që në këtë moshë, nuk të kanë as hije këto punë.

Tani të presim rezultatet e mbledhjes së sotme dhe flasim më gjerë e më gjatë pastaj. /Pamfleti/