“S’ka dramë nëse ikin të dy”, aleati i PD- së për përplasjen Basha- Berisha, Shehi: Me apo pa…do ketë gjithmonë opozitë

“Me PD pa PD, me Berishë pa Berishë, me Lul pa Lul do të ketë gjithmonë opozitë”. Ky është thelbi i qëndrimit të një prej personazheve më besnikë të së djathtës shqiptare në këto 30 vite, Dashamir Shehit, për gjithçka po ndodh në PD me përplasjen Basha-Berisha.

Në një intervistë ekskluzive për gazetaren e Report Tv, Danjela Maloku, Shehi deklaroi se si Basha dhe Berisha, të 2 kanë faj për situatën ku e kanë futur PD-në dhe se asnjë dramë nuk do të kishte nëse do të tërhiqeshin që të 2.


Z. Shehi, jemi në një situatë kur edhe pse ka shumë çështje që opozita do të duhet të kishte dhënë mendimin e saj, si çështja e rritjes së çmimeve për shembull duket se vëmendjen e ka marrë debati i saj i brendshëm! Po bën opozita rolin e saj?

Kjo punë sa ka filluar, me dhënë një gjykim që sot do ishte premature! Sot filloi Kuvendi, do të bvëjmë opozitë të fortë dhe serioze. Edhe votimi i qeverisë ishte tallje nga Edi rama. Që nga dramat sociale deri të çështjet e mëdha kushtetuese. Me Berishë, pa Berishë apo me Basha e pa Bashë Shqipëria do të ketë një opozitë të fortë. Kemi përballë një qeverisje shumë të keqe prej 8 vitesh dhe kam përshtypjen se edhe 8 vitet e ardhshme do të jenë më keq. Kjo nuk është qeveri por një grumbull miqsh dhe mikeshash.

A po humbet kohë me këtë debat brenda opozitës në përballjen me mazhorancën?

Nuk do të doja ta dramatizoja këtë debat të opozitës. Është mbajtur aty me vite, dhe një ditë do të dilte kjo punë. Më mirë kështu sesa të vazhdonim sikur nuk po ndodh asgjë, dhe të tërhiqej zvarrë. Partia Demokratike ka nevojë për dialektikë, për një debat të brendshëm. Nuk mund të bëhet nën tavolinë çdo gjë. Kjo është një histori normale politike. Në të gjithë këtë zhurmë unë shikoj anën pozitive që po hapet një debat brenda të djathtës, gjë që nuk është bërë ndonjëherë. Ky debat do të na mësojë se cilët janë rrugët që duhet të ndjekim. Ndaj nuk shoh ndonjë gjë të madhe.

Mund të kishte një rrugë tjetër z. Basha përveç përjashtimit të z. Berisha nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike?

Në këtë lloj historie kanë të dy faj. Nuk e quaj ndonjë dramë të madhe edhe nëse do të tërhiqeshin që të 2. Basha ka 8 vite aty që e di shumë mirë që ka një njeri tjetër aty dhe duhet të kishte vepruar. S’kishte pse priste aleancën me Amerikën. Kjo është një dobësi e Bashës. Ndërsa Berisha duhet të kuptojë që vjen një moment që duhet të kuptojë që është fatlum, ka qeverisur si president, si kryeministër dhe kaq është e mjaftueshme për një cikël politik. Edhe populli thotë ‘më bëj nuse edhe një herë…’, nuk thotë ‘më bëj 3 herë’. Megjithatë e thashë që debate të tilla ndihmojnë. Por nëse debati përfundon që Berisha na udhëheq drejt fitoreve të mëdha kjo do të ishet grotesk i madh. Kush e ushqen idenë se Berishqa është shpëtimtari dhe duhet të rikthehet për mua është i gabuar. Aq sa është e gabuar edhe ajo që bëri z. Basha. Duhet të kishte gjetur si burrat një rrugë tjetër. Kjo është përgjegjësia e një shefi partie që ka shumë vite që rri shef partie. Siç i mbylli çështjet për problemet e veta brenda partisë ashtu duhet t’i kishte zgjidhur edhe këto të tjera.

Mendoni se z. Basha i ka në tryezë faktet që ka DASH për të shpallur Berishën ‘non grata’?

Këtë nuk mund ta them se kjo është një çështje për hetues apo prokurorë. Sa i përket këtyre debateve me akuza dhe kundërakuza i shërben Edi Ramës. Vetëm debati real i shërben opozitës. Opozita shqiptare është shumë më e madhe se Partia Demokratike. Nëse e shikojmë opozitën si vetëm oborrin e PD sigurisht që i bëjmë qejfin vetëm Edi Ramës. Duhet ndryshuar i gjithë koncepti opozitar. Opozita duhet menduar si një spektër i gjerë. Kjo është formula për të mundur kundërshtarët. Me PD pa PD, me Berishë pa Berishë, me Lul pa Lul do të ketë gjithmonë opozitë.

A keni një strategji ju si opozitë z. Shehi? Duket sikur nuk ka komunikim mes jush këto kohë.

Strategjia jonë është historike, të luftojmë të majtën dhe keqqeverisjen e saj, rikthimin e komunistëve. Kjo është pjesa më kriminale që ka rikthyer Edi Rama. Nuk është më turp të jesh pasardhës i ish-komunistëve. Drama e vërtetë e popullit shqiptar është se kemi ende në krye Edi Rama dhe grupin e tij. Kjo është drama, jo ç’i tha Noka Bashës.  Një debat i hapur dhe i shëndetshëm është shumë mirë. Nëse do të kishim debatuar për lënien e mandateve unë mendoj se do kishim pasur një vendim më konstruktiv. E njëjta gjë edhe për reformën territoriale apo edhe për reformën në drejtësi. Opozita shqiptare do të vuajë këtë punë, do ta vuajnë të gjithë shqiptarët me këtë reformë në drejtësi. Ky është realiteti dhe përgjegjësia është e Partisë Demokratike, e lidershipit të saj, Bashës dhe pastaj edhe Berishës.

Si e shikoni ftesën e Ramës për bashkëpunim për Lulzim Bashën?

Unë e shikoj si diversion. Unë duhet të vendosim konturet e bashkëpunimit, si për shembull Kushtetutën, reformën zgjedhore, reformën territoriale. Bashkëpunimi është që ne si opozitë të përcaktojmë perimetrin politik dhe projektin tonë politike, me propozime konkrete. Kjo është formula për bashkëpunim.

A do të jetë vota juaj pro zgjatjes së vettingut?

Sigurisht por Kushtetuta duhet ndryshuar në bllok. Unë gjykoj se bashkë me sistemin e drejtësisë duhen bërë edhe disa ndryshime të tjera që Rama i shkeli. Ky është mendimi im. S’mund të jetë më Presidenti i Republikës një ‘kukull’ politike.