Borxhi publik i Shqipërisë pritet të kalojë 100%. Deklarata ka ardhur nga Emilia Koliqi, eksperte e ekonomisë dhe kandidate për deputete e PD- së në Shkodër. Koliqi thekson se borxhi publik i deklaruar aktualisht është 83,3%, ndërsa pritet të deklarohet 100% nga INSTAT për vitin 2020. Për Koliqin, kjo shifër është një këmbanë alarmi për të gjithë shqiptarët.
“Situata ekonomike e vendit është në kufijtë e katastrofës financiare. PPP – të që qeveria aktuale ka dhënë për oligarkët e saj, po çojnë vendin drejt kolapsit të rrezikshëm. Aktualisht borxhi publik i deklaruar është 83.3%. më i larti në mënyrë absolute për të gjitha vendet e rajonit. Por ky nivel i deklaruar, pritet të rritet me raportimin për vitin 2020.
Niveli i borxhit publik sipas të dhënave financiare të fundit të vitit 2020 pritet të kalojë 100%. Është një kambanë alarmi për të gjithë shqiptarët sepse jemi ne që i paguajmë pasojat e papërgjegjshmërisë, abuzimit të qeverisë me financat e vendit tonë.”, shkruan Emilia Koliqi. /ShkodraWeb Media/