
Isha në vitin e tretë të gjimnazit. Sapo mbaroi ora e gjashtë e mësimit, në klasë u fut profesori kujdestar. Ne ishim ngritur të gjithe në këmbë për tëe ikur, profesori na bëri me dorë:
-Uluni dy minuta. Sot në orën 20.30 do kemi një mbrëmje letrare e vallëzimi, ju lutem të vini të gjithë.
Dolëm nga klasa me nxitim duke diskutuar të gjithë rreth mbrëmjes, vetëm unë rrija i heshtur. Dëgjoj një zë:
-Simon prit pak të lutem…
Ndalova…
-Nuk të gëzoi lajmi i profesorit që sonte kemi mbrëmje vallëzimi?
-Po u gëzova.
-Besoj se do vish?
-Nuk di çfarë të them, dëshirë kam por nuk varet nga unë.
-Nga kush varet? Të lutem eja më përcill deri në shtëpi dhe me shpjego se nga kush varet.
-Une po të shoqëroj, nuk është mirë që të na shohin bashkë.
-Ehu ti kështu thua gjithmonë…
Po ecnim rrugës të heshtur, ajo ngulte këmbë të pyetja nga kush varet.
-Ti e di që unë jam i internuar, çdo ditë unë paraqitem para policit në mëngjes e në darkë. Unë për të ardhur në mbrëmje duhet ti marr leje policit, ardhja ime varet nga polici.
Ajo më pa me çudi dhe uli kokën.
-Tani unë po kthehem…
-Jo mos ik deri sa unë të dal në balkon e ta bëj me dorë.
Ajo ngjiti shkallët e pallatit dhe menjëherë doli në balkon duke ma bërë me dorë. U nisa drejt shtëpisë duke menduar përgjigjen e kapterit, a do më japi leje?
Apelin e bënim në ora 18 (në dimër). Mbasi kapteri thirri emrat, unë qëndrova deri në fund. Isha bërë gati, kisha veshur një palë pantallona doku dhe këpucë me lekurë derri, kisha punuar verës për ti blerë këto. Pantallonat i kisha futur poshtë krevatit për tu hekurosur. Ju afrova kapterit:
-Zotni kapter, a ka mundësi të më jepni leje për të shkuar në shkollë se kemi mbrëmje vallëzimi?
-Pse di të kërcesh ti?
-Kam mësuar, di pak.
-Në mbrëmje nuk shkoj una e do të shkosh ti, jo, jo nuk ka leje.
U ktheva i mërzitur, më tepër për T se ajo do rrinte duke shikuar rrugës se kur po vij. Të nesermen ajo nuk më foli. Në pushimin e gjatë me pyeti:
-Hë Simon nuk të dha leje polici?
-Jo nuk më dha.
-Unë mbeta në rrugë duke pritur se kur po të shoh.
-Të thashë se nuk varet nga unë. /Nga Simon MIRAKAJ, publikuar në Facebook/
Për bashkëpunime, publikime reklamash, njoftimesh në ShkodraWeb, mund të shkruani në SMS, Whatsapp, Viber +355 67 300 20 70 ose mail: info@shkodraweb.com në çdo kohë!