Spanjollët janë në kërkim të një mbrojtësi të djathtë dhe pista Semedo u zbeh, pasi ai ka vendosur që të qëndrojë te Barcelona. Në këtë mënyrë, të gjitha forcat janë përqendruar te Hysaj dhe drejtuesit madrilenë po bisedojnë me italianët për arritjen e marrëveshjes. Lajmin e bën të ditur gazeta “AS”, që shkruan se “Los Kolçoneros” duan shqiptarin dhe kanë rritur ofertën.
GATI 20 MLN EURO
Risia nuk është fakti që Atletiko kërkon Hysajn, por që ka rritur ofertën për të kënaqur presidentin Aurelio De Laurentis. Napoli ka transferuar Di Lorencon nga Empoli për krahun e djathtë dhe në këtë mënyrë Hysaj do të largohet. Italianët kërkojnë që të fitojnë sa më shumë nga shitja e shqiptarit, pavarësisht se një vit më parë klauzola e tij ishte 50 milionë euro.
Atletiko është gati të ofrojë 20 milionë, 5 më shumë nga oferta e parë që bëri në drejtim të napolitanëve. Nuk dihet nëse kjo shifër do të pranohet nga Napoli, skuadër e cila kërkon 25 ose 30 milionë. Megjithatë, Atletiko ka bërë një hap përpara dhe tani u takon drejtuesve të Napolit që të bëjnë një lëshim në arritjen e marrëveshjes.
TË TJERËT- Hysaj e ka pranuar se aventura e tij me Napolin ka përfunduar dhe kërkon të nisë një sfidë të re. Dëshira e tij është jashtë Italisë, ku përveç Atletikos, edhe Mançester Junajtid ka kërkuar informacione. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia e një transferimi të mundshëm te Juventusi për shkak të raportit special që Hysaj ka me trajnerin Mauricio Sarri.
Mbrojtësi shkodran e pati shumë të vështirë që të ishte një titullar i paprekshëm te Napoli, për shkak se Ançeloti ndryshoi metodën e lojës dhe kërkonte më shumë lojë sulmuese nga mbrojtësit e tij. Shkodrani do të ishte i lumtur nëse sezonin e ardhshëm do të aktivizohej në “Vanda Metropolitano”. Simeone e vlerëson shumë për faktin se ai mund të aktivizohet në të dyja krahët e mbrojtjes.