Partia Demokratike, me anë të një grupi pune, ka nisur lëvizjet e para për hartimin e një projektligji, për ndalimin dhe dënimin e ekspozimit në çdo formë të simboleve të regjimit komunist. Grupi i punës, me në krye deputetin Enkelejd Alibeaj, u ngrit pas shfaqjes, disa ditë më parë, të fotografive të ish-diktatorit Enver Hoxha, në aktivitetin për 75-vjetorin e Konferencës së Pezës, çka u konsiderua nga PD si një provokim i rëndë nga ana e shumicës në pushtet. Shqiptarja.com ka mësuar se, grupi i punës ka nisur zhvilluar mbledhjet e para informate me qëllim hartimin e një drafti, për kriminalizimin e shfaqjes së simboleve të diktaturës.
Ekspertët ligjorë të opozitës po shqyrtojnë dhe vlerësojnë modele të ndryshme, kryesisht të Gjermanisë dhe të vendeve ish-komuniste, të cilat kanë ndalur me ligj jo vetëm ekspozimin e simboleve të komunizmit, por edhe të nazizmit. Në disa vende, ligji detyron policinë që të ndërhyjë për të shpërndarë tubimet dhe për të ndalur shfaqen e çdolloj simboli të komunizmit dhe nazizmit, ndërsa disa vende të tjera, si Çekia, parashikon dënim me burg për personat që ekspozojnë simbole të tilla. Të kontaktuar, anëtarët e grupit të punës thanë se do të shikojnë adaptimin e një modeli, i cili dënon deri në tre vjet burg personat përgjegjës për shfaqjen e simboleve të komunizmit.
Gjithsesi, ende nuk ka një version të kristalizuar në draftit të Partisë Demokratike, sa i takon masës së dënimit, ndërsa mbetet për t’u parë qëndrimi i Partisë Socialiste ndaj propozimit përfundimtar. Disa ditë më parë, kryetari i opozitës, Lulzim Basha zhvilloi një takim me drejtorin e Fondacionit Konrad Adenauer në Shqipëri, z. Walter Gloss, me qëllim bashkëpunimin dhe ekspertizën gjermane në hartimin e ligjit për ndalimin e simboleve të komunizmit. Në të njëjtën kohë, përfaqësuesit e opozitës kanë kërkuar miratimin e një ligji për dënimin e përgjegjësve për rreth 7 mijë krime gjatë periudhës së komunizmit. /shqiptarja.com/