“Simbol i atdhedashurisë deri në sakrificën më sublime”, Presidenti Meta përkujton 100 vjetorin e “Luftës së Koplikut”

Shkruan në Facebook Presidenti i Republikës Ilir Meta: “Lufta heroike në mbrojtje të kufirit veriperëndimor të Shqipërisë, e njohur si “Lufta e Koplikut”, në zbatim të vendimeve të Kongresit të Lushnjës, është një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë tonë të shek. XX.


Kjo luftë është simbol i qëndresës, atdhedashurisë dhe patriotizmit të pashoq për mbrojtjen, deri në sakrificën më sublime, të integritetit territorial të shtetit shqiptar, të pavarësisë e sovranitetit të tij.

Në 100-vjetorin e kësaj lufte, kujtojmë me nderim e mirënjohje dhe përulemi para veprës së figurave të shquara të kombit, Bajram Currit e Ahmet Zogut dhe qindra heronjve malësorë nga Dukagjini, Kopliku, Gruda, Traboini, Kastrati, Shkreli, Gruemira, Bajza, Grizha, Buza e Ujit, luftëtarëve të paepur nga Plavë-Gucia, nga Kosova 🇽🇰 e nga Shkodra, si dhe vullnetarëve nga vise të tjera shqiptare, që, të frymëzuar nga ndjenjat më të lartë të atdhedashurisë, dhanë gjithçka për mbrojtjen e kufijve territorialë të Shqipërisë.

Malësia e Madhe, fisnike dhe e mençur, e cila mbajti peshë të rëndë në këtë luftë, edhe kësaj here dëshmoi se është krenaria dhe nderi i kombit.

Lufta e Koplikut i dha një impuls edhe më të fuqishëm Luftës për çlirimin e Vlorës dhe mbarë Shqipërisë. 🇦🇱”, përfundon postimin e tij në Facebook kreu i shtetit Ilir Meta.

Mbështet Shkodraweb Media në misionin e vet! FALEMINDERIT!

REKLAMAT NË KËTË FAQE, JANË I VETMI BURIM PËR TË GARANTUAR PAVARËSINË, PAANËSINË DHE PROFESIONALIZMIN E KËSAJ MEDIA. NËSE KENI MIRËSINË NË KËTO REKLAMA, JU NA JEPNI NJË MBËSHTETJE TË ÇMUAR! FALEMINDERIT!