Si u sponsorizua Enver Hoxha të krijonte parti nacional-socialiste (simotër e partisë naziste)

Ramadan Zdrava ishte njëri prej atyre pa triska Fronti, pra të “deklasuar” politikisht nga “diktatura e proletariatit”, të cilët ndjenë gëzim që më në fund në 1961 Shqipëria u nda prej Bashkimit Sovjetik dhe madje kreu me këtë rast edhe një hap shumë të kurajshëm: doli nga Traktati i Varshavës.

Gëzimin e sinqertë të ndarjes nga “kampi socialist”, duke u munduar ta mbajë brenda vetes për të mos u dukur lëpirës i regjimit, Ramadan Zdrava ia shprehu shokut të tij të punës (bënin të dy nxjerrje zhavorri buzë lumit Osum). Ky, N. F., qe komunist dhe ishte ai që i tha i pari: “Dane, e more vesh? Dualëm nga Traktati i Varshavës”. Tjetri iu përgjigj çiltër: “Mu lumté! Janë treguar me të vërtetë burra!” N.F. vijoi: “Po si do t’i vejë halli më tutje?” “Shumë më mirë do të jemi”, iu përgjigj Ramadan Zdrava, sërish çiltër.

Këto fjalë të njeriut të dënuar që qe pa triska Fronti, N. F. i raportoi në Komitetin e Partisë të Beratit dhe këtu, që prej sekretarit të parë ato rendën drejt Komitetit Qendror të PPSH-së në Tiranë. Ishte dëshmi e fortë se si për gjestin e guximshëm kundër paktit ushtarak prosovjetik udhëheqja komuniste qe vlerësuar edhe prej armiqve të saj politikë.

Nuk kaloi shumë kohë, jemi në vitin 1969, kur në prani të sekretarit të parë të partisë për rrethin, Jordan Pani, u bë në gjimnazin “Ajet Xhindole” mbledhja e organizatës së rinisë së klasës ku ndodhej njëri nga djemtë e Ramadan Zdravës: Asllani. Do të zgjidhej udhëheqja e saj dhe disa prej të rinjve shprehën simpati për të. Mësuesi, i cili qe njëkohësisht edhe njëri nga drejtuesit kryesorë të rinisë së shkollës, për të parandaluar çdo vlerësim të mëtejshëm pozitiv të Asllanit, i cili për nga natyra vërtet qe mjaft i shoqërueshëm dhe inteligjent, një tip “lideri”, u rekomandoi shokëve të klasës të mos shoqëroheshin aq shumë me bashkëmoshatarin e tyre. U kujtoi se ai vinte nga një familje e deklasuar. Pas kësaj J. P. ndërhyri e shtoi se “në gjirin e organizatës së rinisë ka mjaft të rinj e të reja nga klasa punëtore e fshatare, të cilët meritojnë të jenë në krye të saj”.

Vijimi i kësaj historie do të kulmonte të nesërmen, në Komitetin e Rinisë së Rrethit, ku Asllan Zdravën e përjashtuan dhe atyre që i kishin shprehur simpati, iu dha paralajmërim. Tashmë i porsapërjashtuari edhe nga Organizata e Rinisë, ndërsa edhe kaq goditje të papritura do t’ia kishin tronditur qëndresën psikologjike, iu nënshtrua një traume tjetër. Këtë herë qe një oficer i degës së Punëve të Brendshme, i cili e thirri në zyrë. Ky, duke e tingëlluar zërin si të ishte në një miting, i tha: “Je nip i tradhtarit Sul Zdrava dhe i armikut të popullit Ramadan Zdrava”. Pa e lënë të merrte frymë, e akuzoi menjëherë se në klasë, në prani të vetë sekretarit të parë të Partisë për rrethin e Beratit, kishte kryer tinëzisht një puç për t’u zgjedhur në krye të organizatës së rinisë. “Këtë e ke bërë, mëshoi fjalët operativi i Degës, duke ua mbajtur fshehur se familja tënde nuk ka qenë dhe nuk është anëtare e Frontit”.

Kur pa se të riut nga tronditja po i dridheshin buzët, oficeri befas e zbuti zërin dhe shtoi se megjithatë ai, siç i kishin thënë, qe një nxënës i disiplinuar dhe me rezultate të mira në mësime. Pastaj shtoi: “Partia kërkon të kontribuosh në mbrojtjen e atdheut”. “E kam për detyrë këtë”, iu përgjigj gjashtëmbëdhjetëvjeçari Asllan Zdrava pa e shkuar fare ndërmend ku do të dilte tjetri. “Vetëm këtë të kërkojmë”, shqiptoi oficeri i Sigurimit. Hezitimit të të riut, pasi i nxori para një fletë, i kundërvuri fjalët: “Prandaj firmos!”

Një dialog i shurdhët, ku u shkëmbyen edhe replika, zgjati pothuaj dy orë, derisa Asllan Zdrava iu bind arsyetimit të vet se për mbrojtjen e Shqipërisë, siç përherë kishin bërë të parët e tij, do të jepte jetën. Pra, përse të mos firmoste. Gjithsesi kur doli nga zyra e operativit nuk dallonte dot më ku po i shkelnin këmbët. Kur kaloi para kinemasë së qytetit dhe pa përballë tërë shtatin e lartë shkëmbor e shumë të pjerrët të Kalasë, në kokë i kërceu mendimi se duhej të ngjitej në pikën e saj më të lartë, tek Tabja Çekbeni, dhe të hidhej poshtë, në humnerën 183 metra. Por menjëherë iu duk sikur e thirri një zë: Thuaji më së pari babait!

Ramadan Zdrava sa e pa të prishur në fytyrë e pyeti çfarë i kishte ngjarë. Pasi e dëgjoi, i tha fjalët qetësuese: “Këtë punë kanë ata, s’je as i pari as i fundit”. “Baba, ti si do të bëje?”, e pyeti zëdridhur gjashtëmbëdhjetë vjeçari. Përgjigja e Danit qe akoma më shumë brengfashitëse: “Mos iu përgjigj takimeve. Çfarë do të bëjnë? Asgjë”.

I ATI ZOGIST, POR E SHPËTOI RIZA CEROVËN

Stërgjyshi i Asllanit quhej Ramadan Ibrahim Zdrava dhe në shpalljen e Pavarësisë në Vlorë qe shoqërues jetëruajtës i Aqif Pashë Elbasanit. Gjyshi i Asllanit quhej Sulejman, shkurtimisht Sula. Ky bëri emër më të madh mes të gjithë Zdravajve. Mori pjesë në mbrojtjen e Shkodrës, 1913, dhe deri në ditët e sotme kanë mbërritur nga kjo bëmë e tij çfarë pati treguar e shoqja, Qamilja. Dy javët e fundit të kësaj lufte, rrëfente ajo, mbrojtësve ju munguan jo vetëm ushqimet, por edhe uji për të pirë.

Megjithatë më shumë se të shuanin etjen e ftohnin trupat e tyre, luftëtarëve u duhej të ftohnin armët, të cilët nga nxehja e tepërt bllokoheshin. Në mungesë të ujit për këto të fundit përdornin qepët. Kështu ndodhi që një pjesë e luftëtarëve vdiqën thjesht prej urisë dhe etjes. Kur pas marrëveshjes forcat kombëtare mbrojtëse u lanë malazezëve Shkodrën, qenë aq të uritur, sa kur populli në rrethina, tek iknin për në qytetet e fshatrat e tyre, i priti me dashuri dhe u ofroi ushqim, disa i zuri buka dhe vdiqën rrugës. Pa mbërritur dot në shtëpi.

Sul Zdrava u ndesh edhe me një armik tjetër: andartët grekë. Këta patën shkelur tërë jugun dhe më në fund kishin hyrë në Berat. Atëherë ai në krye të çetës vullnetare të Dumresë u nis për t’i dëbuar nga trojet amtare. Bashkë me shumë të tjerë bashkëkombës ia doli. Po ashtu edhe kur e kreu për herë të dytë këtë vepër: në 1917. Sipas avokatit Ymer Janina, në bahçen e tij në lagjen Murat Çelebi të Beratit, ky kish parë Sul Zdravën, të veshur me xhidik dhe në dorë një patickë, tek shtinte pa pushim dhe pa u tutur mbi andartët.

Një episod tjetër sërish nuk do të harrohej mes beratasve: kur këta andartë hynin nëpër shtëpira i urdhëruan gratë të hiqnin unazat, vathët e varëset. Kush refuzonte kërcënohej me prerje gishti. Përveç se poshtë në qytet, kjo dhunë u krye edhe sipër, në qytetin e vjetër, në Kala. Kur luftëtarët e Sulës bashkë e njësi të tjera kombëtare, i ndoqën rebelët grekë deri përtej Përmetit, tek Tre Urat i çarmatosën dhe u zunë çfarë patën grabitur. Pas luftimeve Sula u kthye në Kala dhe ua ktheu të gjitha stolitë grave. Këto morën secila të vetat dhe në fund vunë re se nuk mungonte asnjë.

Sulejmani bëri karrierë të dukshme ushtarake veçanërisht në kohën e monarkisë. Qe shumë besnik i Ahmet Zogut. Shërbimin ndaj tij e konsideronte si ndaj vetë Atdheut. Prej kësaj ideje që kishte, edhe pse pati dalë në pension, mori pjesë aktive në shtypjen e egër të kryengritjes së Fierit. Këtë zell komunistët nuk do t’ia falnin pas vitit 1944, pa ditur gjithsesi edhe një hollësi: kur Zogu e ngarkoi për të arrestuar Riza Cerovën, Sula ia “hodhi”, bëri sikur nuk e kapi dot. I hapi shteg.

Në të vërtetë kohë më parë, një natë, gjatë një shërbimi ushtarak, pati fjetur tek shtëpia e tij (Rizai nuk qëlloi të ishte) dhe që prej këtij çasti nëna e Cerovës do të thoshte kudo hapur se Sulën e kishte djalë, njëlloj si të birin. Rizanë më vonë, pas shtypjes së kryengritjes së Fierit, do ta vrisnin në pritë në krahinën e Korçës të tjerë ushtarakë të mbretit dhe kur pas kësaj Ahmet Zogut do t’i shkonte fjala se Sul Zdrava e pati tradhtuar, ky e thirri dhe dëgjoi i qetë përgjigjen e besnikut: “Nuk mund ta bëja këtë detyrë, sepse kam ngrënë bukë e kam fjetur në shtëpinë e tij”. Zylyftar Zaloshnja, i shpallur nga komunizmi Hero i Popullit, antifeudal i papërmbajtur, kur do të rastiste, gjatë vetë regjimit, të shprehej për shpalljen që i kishin bërë Sulejman Zdravës si tradhtar dhe armik, do të thoshte pa druajtje fjalinë e shkoqur: “Është i tillë po aq sa jam edhe unë”.

Kur hyri 29 nëntori 1944 Sula pati dalë matanë kufirit dhe në tokën italiane, ku zbarkoi, por u konsiderua nga anglezët kolaboracionist. Kështu u trajtua si rob lufte dhe u mbajt i izoluar kryesisht në kampin e Rexhio-Emiljas. Këtu në vitin 1950 ndërroi jetë. Kur në gusht 2009 familjarët ia kërkuan në këtë qytet eshtrat, nëpunësit e territorit u justifikuan se në Rexhio-Emilia nuk kishin pasur lista të veçanta për robërit e luftës. Kështu kockat e patretura jo vetëm nuk ia gjetën, por nuk ekzistonte emër i tij as në regjistrat e të vdekurve të popullatës vendase.

KAPITALISTI I “KUQ”

Kur po ikte nga Shqipëria Sulejman Zdrava thirri të birin e i tha: “Eja me mua, sepse këta do të të bëjnë kurban”. Ramadani ia ktheu: “Unë kam punuar shumë për këta. Ti e di, kam shumë shok e miq, të cilët kanë detyrime dhe nuk besoj se do të më lënë në baltë”.

I biri po thoshte të vërtetën. Bashkë me të birin, Ramadanin, edhe vetë Sulejmani kish blerë e furnizuar me 1200 pushkë jo vetëm çetat territoriale nacionaliste dhe balliste, por edhe ato partizane. Ramadani edhe më shumë: qe sponsor i veshjes së Brigadës 25 Sulmuese të porsaformuar. Ai nuk e kishte pushuar përkrahjen për Lëvizjen Nacionalçlirimtare edhe pas prishjes së marrëveshjes së Mukjes, gjë që e kishte alarmuar të atin. Sula tashmë e quante të “Kuq” dhe e pati kërcënuar se do ta shpallte në dy gazeta që nuk e kishte më bir të vet. Dy herë komanda e Ballit në Tiranë pati shkuar për ta arrestuar Ramadanin si përkrahës të LNÇl, por meqë ishte i biri i tij, e patën liruar.

Jeta e Zdravës së ri ishte një çudi e pamundur edhe për t’u fantazuar. Kishte qenë fillimisht e një ushtaraku marine, shkolluar në Napoli, por më pas iu përkushtua sipërmarrjes ekonomike. Që në motin 1923 kishte sjellë aparatin e parë për filmshfaqje në Berat, ngritur madje edhe një kinema të vogël, në vijim përhapi gramafonin dhe radion. Pastaj makina bloje, shirëseje, motopompa për vaditje, i mor me tregtim manifakture në Berat e Lushnjë, duke mbërritur më vonë edhe në Tiranë. Këtu tek Pazari i Ri mori me qira dy dyqane. Ndërkohë që në 1939 në qytetin e Durrësit u bë ortak me Rifat Deliallisin dhe formuan shoqërinë “Zdrava & Deliallisi”.

Gjatë viteve të luftës qe një kapitalist i vërtetë, nga më premtuesit për biznes. Shtatlartë dhe shumë i pashëm, me një pjesë të kohës kaluar në Itali (atje madje i kërkuar për të luajtur një rol në një film), Ramadan Zdrava qe i pëlqyer edhe nga elita e grave aristokrate të Tiranës, prej studenteve po ashtu. Kjo ndodhi sepse ai çeli në qendër të Tiranës, pranë Sahatit, edhe një Sallon Mode. Më shumë se shijet e Romës ai përhapte atje ato të Parisit. Ky Sallon ishte edhe një parlament i vogël, ku bëheshin mjaft biseda politike. Madje një ditë aty erdhi edhe vetë Xhafer Deva me një person tjetër. Ishin nervozë dhe kishin nëpër duar listën e 4 shkurtit. Diskutonin për goditjen, por ende dukeshin të lëkundur. Më në fund Deva e preu: “Më vjen keq për rininë e tyre, por ndryshe Shqipëria po shkon në komunizëm”.

Sipas dëshmisë së vetë Ramadan Zdravës, në listën e hakmarrjes qe edhe një e njohur e tij, Nexhmije Xhunglini, të cilës i njihte familjen. Menjëherë dërgoi, me një shegert të tij, një letër tek e ëma e Xhunglinit që ta largonte sa më shpejt të bijën. Pas mbarimit të luftës Nexhmija, tashmë Hoxha, i erdhi në Sallonin e Modës dhe e falënderoi posaçërisht. Pasi pinë kafe dhe biseduan pak, Ramadani e përcolli deri tek Ura e Lanës. Kur u ndanë ajo i tha: “Për çka të kesh nevojë më shkruaj!”
Tërë jeta e tij e mëvonshme, deri sa ndërroi jetë, qe vetëm nevojë urgjente për të shpëtuar nga dhuna pa din e iman që i bënë, por ai nuk i shkroi kurrë Nexhmije Hoxhës. Ai e kish këtë të drejtë edhe sepse bashkë me Bahri Omarin dhe të tjerë, tre tregtarë shkodranë po ashtu, sponsorizuan hapjen e klubit “Flora” në Tiranë, me qëllim që Enveri si djalë intelektual e i pashëm të krijonte një parti të majtë Nacional Socialiste, jo komuniste. Në këtë Klub pihej duhan e kafe pa paguar. Por historia rrodhi ndryshe: Hoxha për të plotësuar ambicien e tij gjeti një parti tjetër, atë staliniste.

PROJEKTI PARTIE PËR ENVER HOXHËN…

Në 1945 familja Zdrava, për shkak të arratisjes së Sulës, u internua në Krujë. Në 1946 mbi Ramadanin u vendos një shumë e papërballueshme si tatim i jashtëzakonshëm. Pagoi pjesën dërmuese, por u lëshua urdhër arresti, fillimisht mbi të atin. Ky qe arratisur. Atëherë në mars i vunë prangat atij. Iu tha familjes se do të merrej për vetëm një sqarim. Nuk e mbajtën fjalën. Para hetuesve të pavendosur ta akuzonin pa prova, siç qe porosia politike, për tentativë rrëzim pushteti, më në fund i gjetën një arnim: Je bashkëpunëtor me Grupin e Deputetëve; çfarë ke biseduar me Gjergj Kokoshin, Loni Plumbin, Sheh Karbunarën; po më parë me Bahri Omarin? Hetuesit ndërroheshin pa marrë rezultate të manovrës së tyre. Kështu nisën torturat. Më në fund Ramadan Zdravës iu bë gjyqi. P. H., që e drejtonte atë, i dha 7 vjet heqje lirie. Ramadani kundërshtoi: “Nuk po kuptoj, përse po më dënoni?” P. H: “Ke bërë tregti me fashizmin dhe ke shumë kapitale jashtë. Ke qëndruar këtu për të minuar pushtetin popullor”. E transferuan në burgun e Korçës, i cili qe bërë qendra e grumbullimit të elitës nacionaliste dhe e ushtrimit mbi të të një dhune të tmerrshme.

Qelia e akullt ku rrinte Ramadan Zdrava, pikonte ujë dhe në qendër të saj qe krijuar një pellg të ngrirë. Çdo ditë, duke ia flakur nga sporteli, i sillnin vetëm një pjatë supe. Ajo derdhej në dysheme dhe ai nga uria detyrohej të lëpinte kokrrat e orizit. Shtatë muaj kështu. Më në fund dënimi përfundimtar: me pushkatim. Akuza e re: ke bashkëpunuar me organizatën e Vorio-Epirit. Ditën kur, hipur në dy kamionë, gjithë të dënuarit me pushkatim i nisën për tek vendi i fshehtë i vrasjes, ende pa kapërcyer postobllokun e burgut, përballë u shfaq një “Xhips” i Ministrisë së Brendshme. Ardhësit i ndalën dy makinat me të dënuarit dhe i kthyen mbrapsht. Pushkatimi qe pezulluar deri në një urdhër të dytë. Më vonë Ramadan Zdrava dhe të tjerët e mbyllur në burgun e Korçës, morën vesh se Koçi Xoxe ishte shkarkuar.

E ëma e Ramadanit dhe tërë familja tashmë qenë në alarm, nuk dinin ku ndodhej. Shkuan në Tiranë tek Nevzat Haznetari, zëvendës ministër i Brendshëm. Ky nuk lëkundej: është tradhtar. Kur pas disa ditësh shkoi në burgun e Korçës për inspektim Ramadan Zdravën e gjeti një grumbull kockash që nuk qëndronin në këmbë, me morra nëpër tërë trupin dhe mjekër e parruar gati dy pëllëmbë. “Je bërë pishman?” e pyeti. “Po, vetëm për një gjë: që nuk ju luftova, por ju ndihmova”. “Me atë kokëfortësi që ke, je mirë aty, por çfarë t’i bëj familjes tënde!” Pastaj urdhëroi gardianët: “Qetheni, pastrojeni, visheni dhe në qoftë se ka lekë të tijat në drejtori, i blini ushqime!”. /Nga Ylli POLOVINA, Gsh.al/