Si u planifikua vrasja me snajper e kryeministrit Albin Kurti, cili është emri i shkodranit që doli në mailet e Gledis Nanos…

Hackerimi i e-mailit të ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano ka nxjerr në pah detaje tronditëse. BalkanWeb mëson se në vitin 2021, Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë ka zbuluar një plan për të ekzekutuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe dy persona të tjerë nga një shtetas nga Shqipëria. Gjithccka thuhet se bëhej për të sjellë destabilizime në Shqipëri dhe Kosovë.

Në një dokument të publikuar, flitet për një e-mail të vitit 2021 të drejtorit të asaj kohe, Gledis Nano. Përveç planit për të vrarë Kurtin, persona të tjerë që thuhet se kanë qenë në listë janë Ismet Haxha, ish-anëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës dhe i afërm i Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-deputet.


Ndërkohë, i dyshuar për atentatin thuhet se është Prek Kodra, me shtetësi shqiptare, i cili thuhet në dokument se ka aftësi të mira në përdorimin e snajperëve. Duke iu referuar informacioneve të Njësisë Kundër Terrorizmit, objektivi i parë do të ishte Ismet Haxha. Ndërkohë, një muaj më pas thuhet se do të vritej Xhavit Haliti, që të dukej gjithçka si hakmarrje mes tyre. Nga ana tjetër bëhet e ditur se pas tyre do të vritej kryeministri Albin Kurti, për të destabilizuar Kosovën. Mes të tjerash raportohet se këto 3 vrasje do të kryheshin në 4 muajt e ardhshëm.

Prek Kodra dyshohet se është përfshirë në disa vrasje në Kosovë dhe Mal të Zi. Po ashtu ka dyshime se personi në fjalë i dyshuar për këto akte, jeton në Shkodër, ndërsa vepron në Tropojë, Ferizaj dhe Deçan të Kosovës.

Sipas Policisë Shqiptare, Kodra rezulton me precedent penal dhe është hetuar për vrasje me paramendim dhe mbajtje pa leje të armëve të gjahut. Ai u shpall në kërkim në vitin 2016, ndërsa pas kontrolleve në banesë iu gjetën dy armë gjahu dhe 90 fishekë. Në shtator të vitit të kaluar u pezulluar urdhri i kërkimit, ndërsa konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë.