Si të shkatërrosh klubin më të mirë në botë brenda 5 vitesh, rasti i çuditshëm i Barcelonës…

Data 6 qershor e vitit 2015 kujtohet nga tifozët e Barcelonës si një nga ditët e fundit të lumtura për klubin katalanas, kur ai cilësohej nga të gjithë si më i miri në botë. Ajo ishte dita kur skuadar e drejtuar nga Luis Enrike mundi Juventusin në finalen e Ligës së Kampioneve dhe e mbushur me yje si Mesi, Nejmar, Suarez, Çavi, Rakitiç, Iniesta, Pike, Alba apo Alvesh, vendosi diktatin përsëri në futbollin europian. Pak ditë më vonë, Josep Maria Bartomeu u zgjodh president i katalanasve dhe aty nisi rrokullisja e pandalshme që u finalizua sot me arrestimin e ish-presidentit dhe drejtuesve të tjerë.

Tashmë klubi është në kaos të plotë, në sferën sportive, ekonomike e organizative, me lojtarin më të mire në botë që kërkon të largohet sa më parë e me një pasiguri të tmerrshme për të ardhmen. Por si u mbërrit deri këtu? Që me emërimin e Bartomeut, gabimet kanë ndjekur njëri-tjetrin dhe presidenti bëri një të rëndë pak ditë pasi kaloi ajo finale. Ai vendosi të rinegocionte me Katarin akordin për emrin e sponsorit në fanellë, duke kërkuar më shumë para, por emirët e Katarit as që nuk e priten në takim në Doha siç kërkonte ai dhe gjithçka përfundoi me prishjen e akordit mes palëve. U desh ndërhyrja e Pike dhe miqësia e tij me presidentin e “Rokuten” që Barcelona të gjente një sponsorizim të denjë.


Në nivelin sportiv, Bartomeu gaboi edhe më rëndë se kaq, pasi nuk rinovoi ekipin ndërsa çdo vit ndërronte drejtorin sportiv e teknik, duke emëruar veten zëvendëspresident sportiv. Emrat që u afruan pas finales ishin shumë larg pritshmërisë: Turan, Aleiks Vidal, Dinje, Alkaser, Andre Gome apo Umtiti. Përtej kësaj, u rinovua kontrata me shifra astronomike për emra si Zhordi Alba e Buskets, shumë mbi vlerën e tregut. Këto kontrata do të rëndonin arkat e Barcelonës e do të bënin që brenda pak vitesh borxhi të kalonte 1 miliard eurot.

Goditja më e rëndë erdhi në verën e vitit 2017, kur PSG e zotëruar pikërisht nga shteti i Katarit, pagoi klauzolën dhe i hoqi nga duart Barcelonës brazilianin Nejmar. Barça nuk ishte e përgatitur për një skenar të tillë dhe reagoi në panik, duke shpenzuar më shumë se sa fitoi, për të afruar Kutinjo e Dembele, dy shpenzime që nuk kanë justifikuar aspak shifrat që u paguan. Ndërsa ekipi dobësohej, nga ana tjetër merrte edhe goditje të rënda imazhi pasi Reali fitonte tre Liga Kampionesh radhazi ndërsa prodhimi i La Masia pak nga pak zhdukej. Kështu, situata përkeqësohej me kalimin e kohës dhe erdhën turpërimet në Ligën e Kampioneve si ai në Romë, Torino, Liverpul apo humbja përballë Bajernit. Ekipi më i mire në botë nuk ekzistonte më.

Këto u shoqeruan të gjitha me proleme të vazhdueshme gjyqësore. Barcelona u shpall fajtore për mospagimin e taksave në vititn 2016, për herë të pare në historinë e klubit, si pasojë e mosdeklarimit të vlerave reale për blerjen e Nejmar. Një gjyq i dytë me Bartomeun si të akuzuar kryesor vazhdon edhe sot. Ndërsa Bartomeu krijoi më shumë armiq në Katalonjë, kur nuk foli në favor të pavarësisë dhe në ditën e referendumit, pranoi që të luhej ndeshja me dyer të mbyllura kundër Las Palmas.

Në fund erdhi ajo që quhet tashnë “Barçagate”, kontraktim me paratë e klubit të kompanive nga Bartomeu dhe drejtues të tjerë që të rritnin imazhin e tyre në rrjetet sociale e të ulnin atë të kundërshtarëve apo edhe vetë futbollistëve katalanas. Pagesa të cilat Bartomeu i fshehu nga Bordi Administrativ, duke u lënë në këste nën 200 mijë euro, pikërisht që të mos trajtoheshin në mbledhjet e Bordit. Kjo situatë solli mocionin e mosbesmit, largimin e tij, e së fundmi arrestimin, ndërsa Barcelona është mbërthyer në një kaos të pashoq, me zyrat e saj nën kontroll nga policia dhe me punëtorët që janë këshilluar që të mos largohen nga vendi. Pas ekipit më të mire në botë, nuk ekziston më as klubi më i mire në botë. /vipsport/


© ShkodraWeb.com

ShkodraWeb Channel