Si të dalë nga skandali me sa më pak kosto?! “Xhafaj” mbyll në zyrë Ramën

Kryeministri Edi Rama është detyruar të kthehet në Tiranë menjëherë nga Parisi pas takimit 90-minutësh me presidentin francez Emanuel Makron.
Gjatë së martës paradite ishte përfolur se kreu i qeverisë do të udhëtonte nga kryeqyteti francez në për në Sofje ku të enjten nis një samit i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian.

Por situata politike “e ndezur” në Tiranë ka ndryshuar planet. Pasi kishte bindur ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj të mos bënte asnjë lëvizje pa u kthyer ai në Shqipëri, Rama njoftoi nëpërmjet Facebook se do të fliste për këtë çështje në një mbledhje të grupit parlamentar që do të mbahet paraditen e së mërkurës. Duket qartë që kjo mbledhje e grupit jashtë radhe është gjetur si një zgjidhje ku Rama mund të flasë i pashqetësuar për çështjen. Grupi i PS mblidhet zakonisht të hënave dhe të enjteve në mëngjes, por situata politike ka ndryshuar gjithçka.

Lapsi.al mësoi se menjëherë pas kthimit nga Franca, kryeministri Rama ka shkuar në zyrën e tij rreth orës 19.00. Përveç disa takimeve me stafin nuk është parë të hyjë në zyrën e tij, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj. Nuk është e qartë nëse do të ketë një takim me ministrin përpara se të flasë në mbledhjen e grupit parlamentar.

Besohet që komunikimi mes tyre të mos jetë ndërprerë, por Rama dhe Xhafaj kanë zgjedhur të mos dalin së bashku publikisht deri në sqarimin e situatës. Të njëjtat burime i thanë lapsi.al se të gjithë mbrëmjen e së martës, kreu i qeverisë do t’ja kushtojë çështjes “Xhafaj”. Ai pritet të vlerësojë të gjitha mënyrat për dalje nga skandali me sa më pak kosto. /Lapsi.al/

ShkodraWeb Staff

E Verteta nuk negociohet!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *