“Islam Myrtajn e kam shok dhe komshi. Te shtunën pasdite me mori ne telefon me pyeti ku je. I thashë po dal nga liqeni dhe ai erdhi me shoqëroi. Ishim duke ecur te dy kur përballë pame Haxhi Baçinozin me te birin. Islami me tha “boo kush duron kete, do me kujtoje leket”.
Kur Haxhiu u afrua e ofendoi Islamin rende dhe e goditi. U kacafytën te 2 dhe pastaj Islami nxori pistoleten dhe e gjuajti 4 ose 5 here. Sapo qelloi Islami u drejtua drejt kodrës. Ndodhi shume shpejt. Unë nuk kisha dijeni qe Islami kishte arme dhe qe do e godiste. U tremba shume dhe shkova direkt në shtëpi. Sot u qetësova dhe mora kontakt me policinë”, thuhet në dëshminë e Pashës të siguruar nga BalkanWeb. Ky është një fragment nga dëshmia e Myftar Pashës, të arrestuarit për vrasjen e 62-vjeçarit Haxhi Baçinozi. Myftar Pasha, mik me autorin e vrasjes Islam Myrtaj, akuzohet për moskallëzim krimi, ndërkohë që në polici ka dëshmuar se ka qenë me autorin në momentin e vrasjes.
Kujtojmë se vrasja ndodhi mbrëmjen e djeshme rreth orës 18:15 pranë një shkolle private, ndërkohë që 62-vjeçari Haxhi Baçinozi ka qenë duke vrapuar me djalin e tij 14-vjeçar. Po ashtu bëhet e ditur se ka qenë djali i 62-vjeçarit i cili ka identifikuar menjëherë autorin.
Dinamika e ngjarjes:
Atentati ka ndodhur rreth orës 18:15 pranë një shkolle private, ndërkohë që 62-vjeçari Haxhi Baçinozi ka qenë duke vrapuar me djalin e tij 14-vjeçar. Dy persona të maskuar dhe të veshur me xhupa të zinj janë afruar me motor dhe kanë qëlluar 5 herë, por vetëm tre prej plumbave kanë kapur trupin e viktimës.
62-vjeçari është dërguar me shenja jete në spitalin e Traumës, por nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë. Bëhet me dije se ashtu si viktima edhe dy autorët ishin me origjinë nga Fieri, ndërsa djali i mitur i Baçinozit ka mundur të identifikojë dy atentatorët si shtetasit me iniciale I.M. dhe I.H.
Gjithashtu është bërë e ditur se viktima është ish i përndjekur politik për agjitacion dhe propagandë, por vitet e fundit ishte shpërblyer nga shteti. 62-vjeçari jetonte prej disa vitesh në Tiranë dhe nuk njihej si një person problematik, ndërkohë dyshohet që shkak i atentatit të ketë qenë një konflikt i ndodhur gjatë kohëve të fundit.
Dyshohet se pas vrasjes autorët janë larguar me motor drejt Saukut.