“Shteti ti japi fund kësaj lufte mes bandash”, i afërmi i 19- vjeçarit të vrarë në Shkodër: Nesër mund të jetë fëmija juaj…

I riu i vrarë sot është djali i vajzes së tezes time. Vjen nga një familje e thjeshtë, e ëma mësuese, i ati ka punuar si shofer, është marrë me rritje bletësh dhe punë të ndryshme për të mbajtur familjen me djersë dhe me nder.

Njerëz të qetë, të urtë e fjalëmirë. Sot marr vesh se i Erjoni paska punuar në një nga fermat e personave me preçedent penalë?! A është kjo arsye të vritet një 19- vjeçar?!


Ne jetojmë në Shkoder e dimë mirë se kush i ka bizneset atje dhe si i kane bërë. A duhet të jetë kaq e pa sigurtë jeta sa mund të rrezikohesh edhe po të shkosh në punë?!

Shkodra ka vite që mbahet peng nga një luftë mes bandash me përkrahje politike majtas e djathtas. Banda që e kanë kthyer atë qytet më keq se Palermon dhe Policia e Shtetit nuk guxon të bëjë punën e sajë sepse këta njerëz mbrohen nga lart për çdo gjë që bëjnë.

Kryeministri në një dalje për mediat tha: “Kokat e tyre hëngshin” edhe pse të gjithë e dimë se për çdo fushatë ai ha koka qengji me njerën nga bandat atje. Ndërsa bandën tjetër e ka lënë të gostisë opozitën.

Në fakt me gjithë numrin e madh të të vrarëve në Shkodër, asnjë kokë bande nuk është vrarë. Janë vrarë vetëm qytetarë të pafajshëm, punëtorë ferme, punëtorë shezllonesh, shitës peshku, të cilët buka e gojës i ka çuar aty.

Ka ardhur koha që qytetarët e Shkodrës ti bëjnë presion shtetit ti japi fund kësaj lufte mes bandash dhe jo të përkrahe banditë. Kjo që shikoni në video është thirrja e dëshpëruar e një babai i cili ka humbur djalin e tij vetëm 19-vjeç. Nëse nuk reagoni sot, nëser mund të jetë femija juaj. /Nga Isar Kastriot QALLIJA/