Kryetari në detyrë i bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia, deklaroi në emisionin “Të Paekspozuarit”, se humbja e opozitës në Shkodër erdhi edhe nga fakti se 14 maji ka qenë një proces zgjedhor i shkatërruar nga ndërhyrjet e strukturave të shtetit në koordinim të plotë me strukturat kriminale në territorin e bashkisë së Shkodrës, që e bëri, sipas tij, një operacion krejtësisht të pamundur fitoren e opozitës.
Biseda:
Spahia: Në po bëjmë analizën tonë. Se çfarë mund të kishim bërë ne më mirë edhe si kandidat edhe si koalicion, edhe si struktura, por ajo që mendoj është e qartë tashmë për këdo tashmë, jo vetëm për shkodranët, se ky ka qenë një proces zgjedhor praktikisht i shkatërruar nga ndërhyrjet e strukturave të shtetit në koordinim të plotë me strukturat kriminale në territorin e bashkisë së Shkodrës, që e bëri një operacion krehtësisht të pamundur fitoren e opozitës në këto zgjedhje.
Pra ka qenë një katastrofë, një shkatërrim i plotë i procesit zgjedhor. Unë kam marrë pjesë në disa zgjedhje si lokale ashtu edhe parlamentare, por asnjëherë si këtë herë nuk kam parë të përfshirë shtetin si koordinator mes institucioneve të veta dhe krimit të organizuar.
Rakipi: Pra ju thoni se shteti ka qenë i interesuar për marrjen e Shkodrës.
Spahia: Absolutisht po. Jo vetëm unë, por çdo shkodran që e ka parë atë që ka ndodhur.
Rakipi: Ndryshe nga të gjithë kandidatët që kam pyetur në studio që fshihnin, ju deklaruat se mpleksja e shtetit me krimin ekziston.
Bardh Spahia, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, që humbi zgjedhjet në Shkodër, foli për rezultatin e zgjedhjeve, duke u ndalur edhe te “fenomeni Tom Doshi”.
Sipas Spahisë, Doshi ka ndikuar në rezultat duke marrë vota nëpërmjet favoreve dhe premtimeve për vende pune. I pyetur nga Ylli Rakipi, nëse disponon prova për këtë, ai deklaroi se provat nuk janë të thjeshta për t’u gjetur, pasi ato duhet ti sigurojnë autoritete të specializuara.
Bardh Spahia: E para fenomeni Tom Doshi nuk duhet parë si i ndarë nga puzzle i përgjithshëm i kryeministrit Rama, për të maksimalizuar grumbullimin e votës. Ato janë një parti, që funksionon në bazë të kryetarit dhe ata që kontribuojnë për marrjen e votës.
Në këtë kontekst, Edi Rama si dirigjenti kryesor i grumbullimit të këtij konglomerati, ku përfshihen ato politike, drejtues institucionesh dhe njerëz të botës së krimit, ka parë edhe përdorimin e partisë së Tom Doshit në zonat ku ka influencë. Zona ekstremisht të varfëra.
Modeli se si e marrin votën është i ditur, ose nëpërmjet premtimeve për vende pune, çka është dominante. Mos harrojmë që është parti që i janë lënë në drejtim disa institucione. Përdorin burimet njerëzore për të maksimalizuar votën. Është pjesë e atij puzzle që ka ngritur Edi Rama. Shikohet qartë, rritja e një partie si kjo e Tom Doshit me vota, çka nuk justifikohet nga oferta ekonomike apo politike. Të bën të mendosh se ka mënyra të reja.
Ylli Rakipi: Ne mund të kemi dyshime serioze, por a kemi prova për zotin Doshi?
Bardh Spahia: Si mund të ketë prova? Si mund ta dokumentosh? Ka organe të specializuara për këtë që nuk e kanë bërë, madje kanë qenë në mbrojtje të tjetërisimit të votave.
Ylli Rakipi: Ju nuk kishit dyshime për Tom Doshin që të mblidhnit edhe prova? Të fusnit njerëzit tuaj? Një parti politike është forcë e madhe. Keni prova të tilla? Nëse vota blihet në mënyrë masive është e thjeshtë ta kapësh.
Bardh Spahia: Jo nuk është fare e thjeshtë. Kërkon punë të specializuar.
Ylli Rakipi: E di pse insistoj, sepse përveç jush që foli edhe përpara, askush nga opozita nuk foli për banda dhe gjëra të tilla. Papritur dolën të hënën dhe thanë që u vodhën zgjedhjet.
Bardh Spahia deklaroi se rezultati ka qenë i ndikuar nga krimi dhe blerja e votave. Analisti Enton Abilekaj e ka pyetur se përse ai shpalli fitoren të dielën në darkë, pas përfundimit të votimit dhe pse nuk i kishin këto informacione për blerjen e votave, para zgjedhjeve por e deklaruan pas shpalljes së rezultatit.
Pjesë nga biseda:
Enton Abilekaj: Ju deklaruat fitoren në darkë të dielën. Pse?
Bardh Spahia: Të gjithë shifrat deklaronin fitoren tonë. Të gjithë sondazhet tregonin fitoren tonë.
Enton Abilekaj: Nuk kishit informacion a kanë dalë votuesit tuaj? Ju thoni u blenë votat. Ju në cilësinë e kryetarit të Bashkisë, duhet ta kishit informacionin pasi u mbyllën kutitë. Por, ju deklaruat fitoren në darkë.
Bardh Spahia: Në bazë të informacioneve që kishim ne po.
Enton Abilekaj: Epo nuk paskeni patur ju informacione. Kjo tregon se ka makineri të madhe mbrapa, është manipuluar rezultati rëndë. Kjo nuk diskutohet. Problemi është, cfarë bëtë ju për këtë? Ne e dinim që Rama do ti mbyllte rezultatet siç i kishte deklaruar. Kishte deklaruar që opozita nuk fiton asnjë bashki të madhe dhe Shkodra është e tillë. Kjo dihej. Ju, duke e ditur, as informacion nuk morët, as e parandaluat, deklaruat që fituat…
Bardh Spahia: Unë flas për informacionin që kam patur, zgjedhësit tanë janë përgjigjur maksimalisht. Kemi patur rritje votash në qytet. Të bënin të mendoje se do të ishte votë për opozitën, çka nuk ndodhi.