
Një 26-vjeçar shqiptar ka qëlluar me çifte babanë e tij duke e lënë të vdekur në vend. Krimi i rëndë ka ndodhur në Zakyntho të Greqisë më 27 Maj, por është zbardhur ditën e sotme nga policia greke.
Mirëpo, sipas informacioneve nga mediat greke, 26-vjeçari shqiptar që vrau me çifte babanë e tij, mund të jetë viktimë e abuzimit. Sipas djalit, babai kishte abuzuar seksualisht me të për vite me radhë. Madje të njëjtën gjë bëri edhe me motrën dhe vëllain e 26-vjeçarit nga martesa e tretë e babait të tij.
Nëse këto pretendime do të vërtetohen, do të shkaktojnë një skandal në ishullin grek, që u trondit mbrëmjen e së dielës me krimin brenda familjes. “Kathimerini” shkruan se viktima ishte një postier në pension. Ai ka qenë brenda makinës së tij kur u vra. Djali 26-vjeçar i viktimës është arrestuar nga policia dhe arma e krimit është sekuestruar.
Grupi hetimor tha se viktima kishte plagë në fytyrë, krah dhe në gjoks të shkaktuara nga arma e gjahut.