Shqiptarët nuk jetojnë në ekrane LED me projekte 3D të qeverisë, në vend të një requiem-i për 26 nëntorin…

Një vit më parë termeti nuk tronditi e rrënoi vetëm pallate e shtëpi. Shembi 51 jetë e rrenoi shpirtërisht ato familje, të afermit e tyre, tronditi zemrat dhe shpirtin e atyre që termeti i preku duke i plagosur, dhjetëra mijëra që i la pa shtëpi apo që ua demtoi ato e dhjetëra mijëra të tjerë që lanë shtepitë të tmerruar. Tronditi shpirtin e të gjithe shoqërisë dhe e mbuloi me vellin e zisë e të dhimbjes.


Punonjësit tanë të emergjencave gërmuan me duar e mjete rrethanore, sepse ishin të papajisur. Qindra ekspertë dhe vullnetarë të huaj, të trajnuar e pajisur nga shtetet mike, na u gjendën vëllazërisht mes fatkeqësisë‎. Çdo viktimë e nxjerrë ishte si një akuzë per babëzinë njerëzore. Çdo jetë e shpëtuar ishte si kumt i një mrekullie. Dhjetëra mijërat e fëmijëve, të rriturve dhe pleqve nëpër çadra në mes të shiut e të ftohtit, të shihnin me vështrimin e vrarë nga dhimbja e vuajtja‎. Një det trishtimi. Por edhe një det solidariteti mes njerëzve. Vetëm shteti nuk ishte aty ku duhej të ishte. Nuk është as sot pas një viti.

Durrësi ishte një qytet fantazmë në ditët që vijuan. Të dukej se ecje në Bejrutin e bombarduar. Rrugët bosh. Kush kishte mbetur numëronte dridhjet e pasgoditjeve.

Një vit më parë termeti tregoi themelet e cekëta e në ujë të shtetit dhe politikës. Atij shteti që diku me mirëbesim por pa eksperiencë e diku me babëzi e ndarje të skajshme politike, kemi ndërtuar në 30 vite. Një dështim që është zvarritur përgjatë tre dekadave duke vrarë shpresën me gjuhën e helmatisur të babëzisë.

Ndaj duhet rindërtuar gjithçka, jo thjesht muret por edhe mënyra si funksionon shteti, se si politika vendos për qytetarët, se si reagojmë dhe kërkojmë llogari, por edhe se si të përballojmë bashkë fatkeqësitë. Duhet një arkitekturë dhe standarte të reja për të ndërtuar shtetin e drejtë të shqiptarëve për shqiptarët. Jo thjesht për pak politikanët që vijnë e ikin periodikisht.

ShkodraWeb Channel

Shqiptarët nuk jetojnë në ekrane LED me projekte 3D të qeverisë së Edi Ramës. Shqiptarët e kuptojnë se si vidhet me projektet e rindërtimit, shohin se si hienat e qeverisë i janë turrur barkut të shijshëm e të butë të fondit të rindërtimit prej 1 miliard euro për ta shqyer. ‎Kanë parë se si ndërrohen letrat dhe me korrupsion e klientelizëm politik nga DS1 dëmshpërblehesh si me demtim DS4. Por ka shumë që shtëpitë i kanë vertet të shkatërruara por zvarriten zyrave e premtimeve boshe dhe vetëm një bonus qeraje kanë marrë ndërkohë që i zuri dimri i dytë jashtë shtëpive. Ka akoma më keq, shumë jane ende në çadra apo streha të sajuara në oborre. Ndërkohë prishen pallate sepse është vend i mirë për të ndërtuar por pallate gërmadhe qëndrojnë në këmbë si akuzë. Ndërtesat që premtoi kryeministri janë postera elektorale sepse gjithçka bëhet për pushtetin e mandatit të tretë dhe jo për hallexhinjtë.

Zoti mos na provoftë ‎më si një vit më parë! Një vit me pas, 26 nëntori 2019 bie si një këmbanë e kobshme për të na kujtuar se “muret” rrethuese të qytetit kanë rënë e duhen ringritur të forta e pa humbur më kohë, sepse barbarët e babëzisë së korrupsionit jane aty jashtë mureve të rëna të shoqërisë sonë, gati të turren e shqyejnë buxhetin e radhës së taksave tona. /Nga Oerd BYLYKBASHI/

Mbështet ShkodraWeb Media

ShkodraWeb Channel