Edi Rama duhet të jetë personi më pak i interesuar për të cënuar imazhin e Shqipërisë jashtë kufijve, sidomos të Ballkanit. Si kryeministër- timonier i vetëm nga qershori 2017, të gjitha përgjegjësitë janë individuale. Ilir Meta që “i ndoti” qeverisjen në mandatin 2013- 2017, është “internuar” në Presidencë. Partia që ai ia la zëvendësit Vasili e më pas e mori bashkëshortja, është rreshtuar në opozotë krah partisë më të madhe. Opozita tash dy vite, nuk ka patur asnjë peshë në vendimmarrjet e tij e tash prej disa ditësh, edhe “de jure” është jashtë sistemit parlamentar duke dorëzuar mandatet. Rama dhe disa mbetje në listat e LSI, PD e PBDNJ, me sponsorizimin e padiskutueshëm të tij, po përpiqen të krijojnë “opozitën e re”, teksa ka nisur të përflitet edhe çmimi 300 mijë euro për kokë deputeti dhe ky është vetëm fillimi.
E gjithë kjo panoramë, për të shprehur habinë për shqetësimin ekstrem të kryeministrit për të eksportuar jashtë Shqipërisë një problem, që sipas vetë atij, nuk ekziston! “Protestat zhvillohen në një kilometër katror”, tha ai për mediat italiane, duke injoruar jo vetëm opozitën si koncept, por edhe mbështetësit që duke parë shpeshtësinë e thirrjes në protestë, nuk janë aspak të paktë në numër.
Edi Rama la me urgjencë seancën plenare të Kuvendit, të një Kuvendi të rrethuar me policë e para tyre, skela e tela me gjëmba. E për çfarë? Për një intervistë në “Porta a Porta”, por edhe disa të tjera në media italiane. E për çfarë? Për të treguar se Shqipëria nuk ka probleme, “kemi nivelin më të ulët të papunësisë në 27 vite”, “vitin e kaluar kishim 500 mijë turistë italianë e sivjet presim ta tejkalojmë”… Para italianëve, hapet horizonti i një Shqipërie tjetër, gati- gati i një “fanar ndriçues në brigjet e Adriatikut”. Po si arriti kaq shpejt Shqipëria, që sivjet feston 28 vjetorin e eksodit më të madh biblik drejt Italisë e më gjërë? E siç thuhej dikur për kontrabandën e cigareve të Xhukanoviçit të Malit të Zi, italianëvë u shkon menjëherë mendja tek…kanabisi shqiptar! Sepse shohin çdo ditë kronikat e lajmeve në televizionet e tyre, tonelatat e kapura dhe që do të kapen në ditët në vijim. E kështu, propaganda del huq, të paktën në Itali.
Meqë në qendër të vemendjes është Italia, vendi fqinj ka një shprehje të famshme që nuk ka nevojë as të përkthehet në shqip: “I panni sporchi si lavano in casa”. Nëse nuk ka vullnet dhe përpjekje brenda Shqipërisë për zgjidhjen e krizës, që me daljet e tij në mediat e huaja Rama vetëm e konfirmon, jashtë vendit nuk zgjidhet asgjë. Rama po krijon për Shqipërinë imazhin e “Venezuelës së Europës”. Atje, Maduro dhe Guaido, në pamundësi për të gjetur gjuhën e bashkëpunimit brenda vendit, e kanë ndërkombëtarizuar këtë çështje në atë masë, sa sot Venezuela ka dy presidentë njëkohësisht. E në fund, imazhi i Shqipërisë në Itali e gjetkë prishet më shumë duke anatemuar opozitën e vëndit tënd që vullneti i qytetarëve të tu ta ka vënë përballë apo duke u shfaqur në media si një shtet që protestën e ka kult?! /Nga Blerti DELIJA/