Komisioni Europian paraqiti dje raportin e progresit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe rekomandoi se negociatat për anëtarësimin duhet të hapen për të dyja vendet. Zëvendëskryetari i grupit parlamentar të CDU / CSU Johann David Ëadephul, shpjegon:
“Grupi parlamentar i CDU/CSU do të analizojë me kujdes raportet e progresit mbi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe do t’i krahasojë me analizat e tjera që ka në dispozicion. Vetëm në këtë mënyrë mund të marrim një vendim të përgjegjshëm, nëse janë plotësuar kushtet për nisjen e bisedimeve të pranimit me dy vendet.
Megjithatë, një shqyrtim i tillë nuk duhet bërë me ngut. Kjo nuk do ishte e pranueshme për popullin gjerman dhe do të ishte e padrejtë edhe për vendet në fjalë.
Në këtë kuptim, Bundestagu gjerman nuk do të jetë në gjendje të vendosë për hapjen e negociatave të pranimit deri në fund të shtatorit, siç u pajtuam me kolegët e grupit parlamentar të Partisë Social Demokrate (SPD)
Një analizë fillestare tregon se Shqipëria, deri më tani, nuk ka arritur të përmbushë asnjë nga kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësim, siç u kërkua nga ministrat e Jashtëm të BE më 28 qershor të vitit 2018.
o Nuk ka një sistem gjyqësor funksional.
o Nuk funksionojnë as Gjykata Kushtetuese dhe as Gjykata e Lartë. Nuk janë krijuar as njësia antikorrupsion SPAK dhe as Byroja Kombëtare e Hetimit.
o Ka përparime në nivele të ulëta dhe të mesme në luftën kundër korrupsionit, por ka shumë pak raste të procedimeve për korrupsion në nivele të larta dhe as dënime.
o Në mënyrë të ngjashme, janë të dobëta përpjekjet për të luftuar krimin e organizuar.
o Përveç kësaj, nuk është nisur asnjë procedurë ligjore ndaj politikanëve dhe kriminelëve të përgjuar në fillim të vitit për blerje të votave. Në fund të fundit, ligji i ri zgjedhor i kërkuar nga Ministrat e Jashtëm nuk është miratuar akoma.
Në këtë drejtim, Shqipëria ka nevojë për më shumë kohë për t’u përgatitur për negociatat e pranimit.
Vendi duhet të bëjë çdo përpjekje për të përmirësuar kushtet për një vendim pozitiv të BE-së në shtator. Kjo përfshin një dialog të vërtetë mes qeverisë dhe opozitës për të kapërcyer krizën shtetërore.
Grupi parlamentar i CDU/CSU është ende i gatshëm që të ndihmojë.
Të dyja palët duhet, megjithatë, të përgatiten për një dialog të tillë pa parakushte. Asnjë temë nuk mund të përjashtohet që nga fillimi”.