“Shpresoj që fusha të jetë në gjendje të mirë”, Brdariç para ndeshjes së rëndësishme: Kukësi luan futboll të bukur

Vllaznia do të luajë nesër sfidën e javës së 6-të të kampionatit ndaj Kukësit. Ndeshja do të luhet në “Arena Egnatia” në orën 13:45, ndërsa sot në konferencën për shtyp trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdaric u shpreh se kërkon vazhdimësi nga skuadra. Numri një i stolit shkodran vlerësoi skuadrën e Kukësit, ndërsa theksoi se duhet shumë punë për të arritur vendin e parë në kampionat.

“Jemi të lumtur për fitoren ndaj Dinamos që na dha atmosferë të mirë, por kjo nuk do të thotë që ne nuk kërkojmë vazhdimësi. Duhet të stërvitemi sa më shumë që të marrim fitoret e radhës”.


Kukësi? “Jemi përgatitur për ndeshjen ndaj Kukësit. Sot kemi stërvitjen e radhës ku do të shikojmë disa detaje të rëndësishme. Më pas do të udhëtojmë në Durrës e nesër kemi ndeshjen në stadiumin e “Arena Egnatia’.

Shpresoj që fusha të jetë në gjendje të mirë pasi reshjet e shiut ishin të forta në Shkodër, por nuk e di sesi kanë qenë në Rrogozhinë. Për të dyja ekipet do të jetë e veçantë pasi as Kukësi nuk luan në shtëpi. Shpresoj që puntorët e fushës ta dijnë ta mbajnë fushën në gjendje të mirë që edhe ne të bëjmë një ndeshje të bukur”.

Mbrojtja? “Kemi punuar për këtë repart dhe procesi për të ndërtuar një skuadër nuk bëhet pas një ndeshje, por kërkon kohë. Po mundohemi të punojmë sa më shumë në çdo aspekt ku kemi probleme”.

Skuadra? “Jam i kënaqur që po punojmë të githë bashkë. Çdo kush duhet ta kuptojë që është diçka e veçantë të luash për Vllazninë. Secila ndeshja është një mundësi e mirë që tregon sa dëshirë kemi për të luajtur për ekipin tonë”.

Mund të fitohet ndeshje ndaj Kukësit me një gol? “Kukësi është një skuadër bën presing shumë dhe luan një futboll të bukur. Ne duhet të jemi përkushtuar ndaj tyre e të japim më të mirën tonë që më pas të marrim rezultatin që duam”.

Vendi i parë? “Do të ishte diçka e bukur, por Kukësi nuk do të na lëri shumë hapësira. Ne duhet të punojmë shumë për të marrë atë që kërkojmë nga ndeshja”.