“Bindja Demokratike“ ka patur një “lindje të sforcuar“. Ka mjaftuar më pak se një javë për të zbuluar të vertetat. Për tu bërë pjesë e garës elektorale, një parti politike duhet të jetë e miratuar pikësëpari në bazë të ligjeve të këtij vendi. Ka të paktën disa raste, kur qytetarë të ndryshëm kanë denoncuar përfshirjen në listat mbështetëse të “BD”, sidomos në Vlorë dhe në Kavajë. Në rastin më të mirë, kjo procedurë është e dyshimtë.
Veç këtij procesi, pjesëmarrja në zgjedhje e forcave politike, kushtëzohet nga pasja e mandateve përfaqësuese në këshillat bashkiakë në zgjedhjet paraardhëse ose, patja e mandateve parlamentare në Kuvend. Rruga tjetër, është mbledhja e firmave në bashkitë ku kërkohet kandidimi, numër që nis nga jo më pak se 50 firma deri në maksimumi 3 mijë firma. Këto janë ligjet e shkruara e zezë në të bardhë.
“Bindja Demokratike” nuk ka mundur të mbledhë firmat për të kapur afatet ligjore. Patozi ka zgjedhur rrugën e “kumbarës”, pra që një deputet të marrë përsipër që mandatin e tij, ta vërë në mbështetje të “BD” që të sigurohet pjesëmarrja në zgjedhjet e 30 qershorit. Këtu nis edhe shpërthiqja publike e kësaj force të re politike, që e nis jetën me modelin e vjetër të politikbërjes.
Partia e Patozit nuk kishte se si të zotëronte mandat parlamentar, sepse ka lindur para rreth një muaji. Madje, një lindje rekord: Nga paraqitja e kërkesës në gjykatë deri në publikimin e vendimit në faqen zyrtare të gjykatës, kanë kaluar më pak se 5 orë. Kështu, iu është drejtuar deputetëve zemërgjërë. Mesa duket, Rudina Hajdari nuk ka pranuar të firmosë. Por është gjetur Andi Permeti nga lista e PD dhe Lefter Koka nga LSI. I pari, Andi Permrti, edhe pse ka firmosur në mbështetje të “BD”, nuk ka vlerë firma e tij. Minimalisht, duhet të ketë 6 muaj në Kuvend. E në fakt, atij nuk është bërë akoma muaji si pjesë e “opozitës së re”. Firmë e vlefshme ligjërisht deri diku, është ajo e Lefter Kokës. Ai ka më shumë se 6 muaj në Kuvend sepse nuk pranoi të djegë mandatin. Por zyrtarisht, deri në mbyllje të 6 muajve, ai konsiderohet deputet i LSI-së. Vetëm në sesionin tjetër, ai mund të deklarojë përkatësi si i “BD” së së Patozit.
Por gjithsesi, një temë e tillë, duhet të ishte subjekt shqyrtimi i Gjykatës Kushtetuese që është asgjesuar. I vetmi institucion që mund të shprehet, është KQZ ku shumica është e përcaktuar…
Po nga ana tjetër, është pjesa morale. Aq më shumë kur Patozi erdhi me një frymë të re, anti- sistem, duke nisur nga partitë e konsideruara të vjetra. E gjithë sa më sipër tregon se “BD” nuk është asgjë më shumë se një tjetër parti e vjetër, ku qëllimi justifikon mjetin. Ajo që duhet edhe pak kohë të kuptohet është nëse partia e Patozit kërkon të përfitojë nga vaakumi opozitar për të marrë një thelë të majme apo është thjeshtë një aksesor i momentit në sherbim të krijimit të një opozite fasadë për Ramën.
Nëse nuk ka asnjë detyrim, të asnjë natyre, për të shpëtuar atë pak që mund të shpëtohet në sensin moral, Patozi do të bënte mirë të tërhiqte “BD” nga zgjedhjet, të fillonte “gavetën” në politikë, për të matur forcat atëherë kur të jetë gati. Duke filluar nga zbatimi i ligjit për regjistrimin e partive politike. Më pas, kur të vijnë zgjedhjet e rradhës, edhe ligjin për zgjedhjet… /Shënim i ShkodraWeb/