
Belina Pupa, gruaja e aktorit të njohur Elvis Pupa, është shpallur e pafajshme nga Gjykata e Australisë, pas akuzave për kultivim lëndësh narkotike në një banesë të regjistruar në emrin e saj.
Pas disa muajsh në proces gjyqësor, gjykata e shpalli Belinën të pafajshme. Pas këtij vendimi, Elvisi e ka ndarë lajmin në rrjetin e tij social Instagram, ku me anë të një story ai ka falënderuar të gjithë për mbështetjen që i kanë dhënë gjatë këtyre muajve.
“Faleminderit të gjithëve për mbështetjen. Mos paçi të tilla raste që t’jua shpërblejmë”, shkruan Elvisi.
Në 23 maj të këtij viti, Belina Pupa u paraqit në gjyq në Australi, pasi dyshohej nga autoritetet australiane se ishte përfshirë në kultivimin e lëndëve narkotike dhe në lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, kjo e fundit, çeshtje që vazhdon të gjykohet.
Më vonë, në një deklaratë Belina tregoi se ambienti ku janë evidentuar shkeljet ligjore ishin në pronësi të saj por të dhëna me qira.
Gjithashtu u dyshua se edhe Elvis Pupa ishte përfshirë në të njëjtën çështje dhe u raportua se ishte shpallur në kërkim nga autoritetet australiane. Megjithatë, aktori i përgënjeshtroi aludimet dhe adresoi gjithë manipulimet që iu bënë ngjarjes.




