Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit thotë se gjatë ditës së sotme por edhe në 7 e 8 Mars prurjet në lumenj do të rriten, jo vetëm për shkak të rreshjeve, por edhe si pasojë e shkrirjes së dëborës. Sipas llogaritjeve hidrologjike të IGJEUM, më 8 Mars rritet rreziku i zgjerimit të hartës së përmbytjeve në zonën e Nën-Shkodrës.
RREZIKU NGA PËRMBYTJET
————————————–
Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM-it, rezulton se lumenjtë do të kenë prurje të larta në pjesën veriore të territorit. Kjo për shkak të kombinimit të shkrirjes së dëborës si pasojë e rritjes së temperaturave dhe reshjeve të pritshme. Sot (e martë, dt.06) dhe në vazhdim përgjatë datave 7 dhe 8 Mars 2018 në basenin Drin-Buna dhe Liqeni i Shkodrës do të vazhdojë rritja e prurjeve dhe e niveleve. Rritja e niveleve në pjesën e Ultësirës së Shkodrës do të varet edhe nga shkarkimet e kaskadës në Lumin Drin. Paraprakisht, nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM në pjesën e Lumit Buna dhe Liqenit të Shkodrës, rritet rreziku i zgjerimit të hartës së përmbytjeve në zonën e Nën-Shkodrës. Nivelet më të larta janë llogaritur të arrihen në datën 8 Mars 2018.
Ky informacion do të përditësohet nga IGJEUM sipas llogaritjeve të ardhshme dhe do të njoftoheni për çdo ndryshim në parashikimin e përmbytjeve.
PARASHIKIMI METEO
———————————
RESHJET
Sot pasdite (e martë, dt.06) dhe nesër (e mërkurë, dt.07) në qarqet Shkodër dhe Kukës priten reshje intensive, deri lokalisht shumë intensive. Në qarqet e tjera priten reshje të dobëta ose mesatare, por lokalisht edhe intensive, shoqëruar edhe me shtrëngata (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark). Sasia më e madhe e reshjeve pritet të bjerë gjatë pasdites së sotme.
Pritet prania e reshjeve në formë dëbore në 1100 m mbi nivelin e detit, kryesisht në veri dhe veri-lindje të vendit.
TEMPERATURAT
Nesër (e mërkurë, dt.07) temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:
në bregdet: 10 / 16 °C
në vendet e ulëta: 8 / 15 °C
në vendet malore: 3 / 10 °C.
ERA
Sot pasdite (e martë, dt.06) dhe nesër (e mërkurë, dt.07) era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare, ndërsa në bregdet deri e fortë.