Largimi i Ardi Veliut nga drejtimi i Policisë së Shtetit është një lajm i mirë. Edhe ai, si pararadhësit në këtë detyrë jo të lehtë, ka dështuar ma mjaft sukses. Por ndryshe nga të tjerët, Ardi Veliu, nën drejtimin politik të ish- gjeneralit Sandër Lleshi, e ktheu Policinë e Shtetit në një forcë paramilitare në përballjet me shqiptarët e tjerë, me opozitën.
Sot, u njoftua jozyrtarisht se Ardi Veliu kishte dhënë dorëheqjen. Fuga i Ramës nxitoi të përgenjeshtrojë se Veliu nuk është shkarkuar. Para pak minutave, me një “cicërimë”, kryeministri Rama njoftoi se Ardi Veliu ka dhënë dorëheqjen, nuk është shkarkuar. Madje, publikoi edhe një shkresë, stili dhe përmbajtja e të cilës tregojnë të vertetën: Ardi Veliu është shkarkuar!
Shkresa që mund të shihni më poshtë, është e turpshme që të mbajë firmën e një titullari shumë të lartë të shtetit, siç është drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Është më pak se një “letër bakalli”. Me shumë mundësi, në nxitim e sipër, Ardi Veliu e ka shkruar me sugjerim, për ti shpëtuar lajmit të linçimit me shkarkim nga Këshilli i Ministrave.
Letra e dorëheqjes së Veliut ka mungesa të theksuara në formë e në përmbajtje. Drejtori i Përgjithshën ne detyrë, jep dorëheqje në një shkresë zyrtare, me kokë dhe me fusnote. Të paktën, respektohen rregullat elementarev të gjuhës por edhe hartimit të një shkrese zyrtare. Aq më tepër, drejtuar Edi Ramës, i cili sheh pika e presje në çdo dokument.
Përveç gabimeve gjuhësore dhe drejtshkrimore, nuk gjendet një “Ë” për be në të gjithë tekstin. “Lenda” dhe “Drejtuar” nuk kanë asnjë lidhje me shkresat zyrtare, vendndodhjen e tyre në dokument. Në fund, emri “Ardi Veliu”, pa funksionin që mbante dhe që mban deri në emërimin e pasardhësit të tij.
Është e qartë se ajo letër dorëheqje, nuk është shkruar nga ndonjë zyrtare shteti apo sekretare, siç do të ishte normale. Po ashtu, edhe përmbajtja e saj, ka mjaft gafa. Veliu thotë se nuk kërkon mandat tjetër pas 4 viteve në detyrë, edhe pse ligji “Për Policinë e Shtetit” përcakton se mandati i tij është 5 vjeçar. Pra i bie, se paska patur ndërmend të kërkojë një mandat tjetër 5 vjeçar (nëse do ta kërkonte), në vitin e katërt të mandatit të parë (?!).
Në nxitim e sipër, Veliu ia ka drejtuar letrën e dorëheqjes KRYEMINISTRIT, edhe pse në fakt, sipas ligjit “Për Policinë e Shtetit”, ai emërohet e shkarkohet nga Këshilli i Ministrave. Pas këtij institucioni, Veliu mund të shtonte edhe emrin e shefit të tij direkt, kryeministrit Edi Rama.
Historia duket është më e thjeshtë. Ultimatumi “100 ditor” i Ramës për Veliun, skadon ekzaktësisht nesër duke filluar nga 8 korriku. Kryeministri Rama e ka thirrur, ia ka kujtuar ndërsa i ka sjellë në vemendje një nen të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, gërma b) që lidhet dhe me “100 ditët”, që ju mund ta lexoni më poshtë. E në këto kushte, për të shpëtuar atë që mund të shpëtohet, Veliu ka sugjeruar ose i është sugjeruar të japë “dorëheqje” si kapak floriri.
Është ulur diku, natyrisht i mërzitur, para ndonjë laptopi dhe me ndonjë koleg tjetër “me kapele” në krah. Rezultati, shkresa e “dorëheqjes” së tij, një “pusullë bakalli” e vertetë dhe jo shkresë e një zyrtari të lartë të shtetit. Lajmi i dorëheqjes së Ardi Veliut, është lajm i mirë dy herë. Ligji “Për Policinë e Shtetit”, nuk e lejon të jetë pjesë e kësaj strukture në asnjë nivel. Sigurisht do të ketë privilegje. Mes të cilave, edhe nofka si “shofer i Eskobarit të Ballkanit” gjatë dorëzimit të Kelmend Balilit. /Nga Blerti DELIJA/